BDI reagon ndaj punësimeve në hidrocentralin e Gostivarit: 12 vende pune, asnjë për shqiptarët
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër pas raportimeve për punësimet e fundit në hidrocentralin Mavrovë – Vërtok, ku janë angazhuar 12 persona të rinj, asnjëri prej të cilëve nuk është shqiptar, ndonëse ky hidrocentral ndodhet në rajonin e Gostivarit – një zonë me shumicë shqiptare, njofton Flaka
Në një deklaratë për mediat, BDI shpreh shqetësimin e thellë për atë që e cilëson si një rast flagrant të përjashtimit etnik në institucionet publike. Sipas partisë, ky vendim bie ndesh me frymën e përfaqësimit të drejtë mbi të cilën është ndërtuar modeli institucional i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Një qasje e tillë jo vetëm që dëmton besimin e qytetarëve, por rrezikon seriozisht kohezionin ndëretnik dhe komprometon parimet e funksionimit demokratik e shumëetnik të shtetit”, thuhet në deklaratë.
BDI thekson se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një tendence sistematike për spostimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore, për çka partia ka ngritur shqetësime të përsëritura edhe më herët.
Në reagimin e saj, BDI u bën thirrje institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë:
“I bëjmë thirrje Avokatit të Popullit që menjëherë të nisë procedurat për vlerësimin e kësaj situate provokuese, dhe të konstatojë nëse janë shkelur të drejtat për përfaqësim të barabartë dhe mosdiskriminim.”
Partia u bën apel edhe përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në vend që të ndjekin me vëmendje këto zhvillime, të cilat, sipas saj, bien ndesh me angazhimet për ndërtimin e një shteti gjithëpërfshirës dhe funksional.
“BDI do të vazhdojë të angazhohet pa kompromis për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe për ruajtjen e karakterit shumetnik të institucioneve në vend”, përmbyllet reagimi. Flaka
















