Halil Snopçe kundër emërimit të Sllavevskit: Politizim i rrezikshëm i Bankës Popullore
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar fuqishëm gjatë seancës për zgjedhjen e guvernatorit të Bankës Popullore, duke e cilësuar kandidaturën e Trajko Sllavevskit si të papërshtatshme dhe të rrezikshme për pavarësinë e këtij institucioni, transmeton Flaka
“Nuk kemi të bëjmë me një propozim të pavarur profesional, por me një emërim politik që përfaqëson kthimin e kontrollit partiak në zemrën e sistemit financiar të vendit,” theksoi Snopçe. Ai rikujtoi se Sllavevski ka qenë ministër i Financave gjatë periudhës më të errët të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, nën drejtimin e Nikolla Gruevskit – periudhë e njohur për abuzime me pushtetin dhe instrumentalizim të institucioneve.
Sipas Snopçes, Sllavevski nuk njihet për integritet profesional, por për përkatësinë e hapur politike dhe lojalitetin ndaj VMRO-së. Ai kujtoi gjithashtu sjelljen e tij në Këshillin e Qytetit të Shkupit, ku u paraqit si zë i liderit Hristijan Mickoski, duke bllokuar procese dhe duke mos marrë kurrë qëndrim ndaj akuzave për mafian urbane që tronditën qytetin.
“Aleanca për Shqiptarët është kategorikisht kundër vendosjes së kontrollit politik mbi institucionin kryesor të politikës monetare,” përfundoi Snopçe, duke paralajmëruar se kjo zgjedhje minon jo vetëm stabilitetin ekonomik, por edhe besimin qytetar në institucionet e shtetit. Flaka Media
















