Arben Fetai në turin e bashkëbisedimeve: Fryma e ndryshimit në çdo cep
Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka përshkruar sot njësinë zgjedhore numër 5, duke zhvilluar takime në disa nga qytetet më të rëndësishme të rajonit me aktivistë dhe qytetarë të angazhuar për ndryshim.
Fetai e nisi turin nga Dollneni, ku u ndal për të takuar fermerët, të cilët ai i quajti “duart e ndershme që përfaqësojnë themelin e zhvillimit dhe krenarisë kombëtare”.
Më tej, vizita vazhdoi në Kërçovë, apo siç e quajti ai, “Uskana jonë e lashtë”, duke e përshkruar si një djep të historisë dhe qëndresës shqiptare ndër shekuj.
Në Strugë, natyra dhe bashkëjetesa ishin në qendër të fjalës së Fetait: “Na përshëndeti flladi i liqenit dhe zëri i Drinit që rrjedh mes Toskërisë dhe Gegnisë — aty ku uji dhe fjala bashkohen për të krijuar simfoninë e bashkëjetesës.”
Turi përfundoi në Dibër, që Fetai e cilësoi si “vatra e arsimit dhe kulturës shqiptare”, duke përkujtuar rilindasin Said Najdeni (Sheh Shamia) dhe shumë patriotë të tjerë nga ky qytet.
“Kudo që shkuam: entuziazëm, fytyra të buzëqeshura dhe besim i palëkundur në rrugën që kemi nisur bashkë,” theksoi ai, duke shtuar se fryma e ndryshimit jehon nga çdo skaj i njësisë zgjedhore.
“Ne jemi këtu për të dëgjuar, për të vepruar, për të vazhduar, dhe mbi të gjitha, për të mos e tradhtuar kurrë besën e dhënë,” përfundoi deklaratën e tij Arben Fetai i cili prej ditësh ka krijuar Këshillin Korrdinativ dhe pretendon se përfaqëson ASH-në në qeveri dhe VLEN.
















