Rrënimi i Monopolit përfshin qytetin me pluhur – Eco Guerilla kërkon inspektim
Sot në Tetovë, qytetarët u përballën me një situatë shqetësuese shëndetësore dhe ekologjike si rezultat i rrënimit të objektit të dikurshëm të Monopolit, në hyrje të qytetit. Një “bombë me pluhur” mbuloi zonën përreth, duke rrezikuar seriozisht cilësinë e ajrit dhe shëndetin publik.
Në reagim të kësaj ngjarjeje, Lëvizja Eco Guerilla i ka bërë thirrje organeve kompetente të Komunës së Tetovës dhe institucioneve inspektuese që të kërkojnë përgjegjësi për shkeljen e ligjeve ndërtimore, me theks të veçantë për ligjin mbi sigurinë në punë dhe mbrojtjen e ambientit.
“Punimet duhet të respektojnë dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta për punëtorët dhe qytetarët. Ne kërkojmë inspektim urgjent nga Inspektorati për Ndërtim dhe ai Ekologjik,” thuhet në reagimin e Eco Guerilla-s.
Organizata ngre shqetësimin se punëtorët e përfshirë në projekt mund të jenë duke punuar pa pajisje mbrojtëse dhe në kushte të rrezikshme, gjë që përbën shkelje të rëndë të të drejtave të tyre dhe një kërcënim për jetën.
Emetimi masiv i pluhurit përbën rrezik të drejtpërdrejtë për qytetarët, veçanërisht për personat me sëmundje respiratore, ndërsa mungesa e masave mbrojtëse e bën situatën edhe më alarmante.
Eco Guerilla thekson se zhvillimi urban nuk duhet të ndodhë në dëm të shëndetit publik, ndërsa kërkon mbrojtjen e pronës private dhe publike përreth zonës ku po kryhen punimet.
Në fund, organizata u bën thirrje qytetarëve dhe institucioneve të angazhohen për ndalimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, duke kërkuar veprim të menjëhershëm dhe transparencë nga autoritetet përkatëse. Flaka Media
















