Ndryshimet ligjore për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve, Qoku me thirrje për votim urgjent
Koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të votojnë me urgjencë ndryshimet në Ligjin për Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve. Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve është që punonjësit e Inspektoratit, të cilët kanë pesë muaj pa marrë paga, të marrin rrogat e tyre të papaguara.
Sipas Qokut, me miratimin e ndryshimeve ligjore, Inspektorati do të kalojë nën juridiksionin e Ministrisë së Drejtësisë, por do të fuqizohet me kompetenca të reja, duke përfshirë të drejtën për vendosjen e gjobave.
“Subjektiviteti i Inspektoratit mbetet brenda Ministrisë së Drejtësisë, ashtu si të gjitha inspektoratet e tjera sipas Ligjit për Riorganizimin Administrativ, i cili u miratua me shumicë të madhe dhe ku mori pjesë edhe BDI-ja”, theksoi Qoku.
Ai shtoi se ky ndryshim është pjesë e procesit të riorganizimit administrativ, ku Inspektorati bëhet pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, në përputhje me praktikën e institucioneve të tjera. Qoku bëri apel për bashkëpunim dhe vullnet të përbashkët për miratimin e shpejtë të ligjit, duke u siguruar punonjësve të Inspektoratit pagat dhe duke rritur efektivitetin e këtij institucioni.
“Duhet vetëm vullnet, me Badenter ta votojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, që punonjësit të marrin pagat e tyre dhe Inspektorati të fuqizohet, duke përfshirë edhe kompetencën për vendosjen e gjobave, që deri më tani nuk e ka pasur,” tha Qoku.
















