Fetai kujton Marrëveshjen e Kumanovës: “Moment historik për paqen dhe sigurinë në rajon
Me rastin e 9 qershorit, që shënon përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, zëvendëskryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Fetai, ka kujtuar këtë ngjarje si një nga momentet më të rëndësishme për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Në deklaratën e tij, Fetai thekson rëndësinë historike të marrëveshjes që i dha fund luftës në Kosovë dhe ndali fushatën e spastrimit etnik të udhëhequr nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.
“Ky ishte një moment historik që hapi një kapitull të ri për lirinë, demokracinë dhe zhvillimin e rajonit tonë,” thuhet në deklaratën e Fetait.
Mirënjohje për NATO-n dhe SHBA-të
Zëvendëskryeministri Fetai ka shprehur respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin njerëzor, duke theksuar rolin vendimtar të partnerëve ndërkombëtarë.
“NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndruan në anën e drejtë të historisë dhe ndihmuan në ndaljen e një tragjedie njerëzore,” thekson ai.
Roli i Maqedonisë së Veriut: Vend strehues dhe nikoqir i paqes
Në deklaratë, Fetai vlerëson edhe rolin e Maqedonisë së Veriut, jo vetëm si vend ku u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, por edhe si strehë për rreth gjysmë milioni refugjatë nga Kosova gjatë konfliktit të vitit 1999.
“Kjo dëshmon angazhimin e vendit tonë për paqe, solidaritet dhe stabilitet në rajon,” ka theksuar ai.
Paqja si angazhim i përhershëm
Fetai ka përmbyllur deklaratën e tij duke theksuar se ndërtimi i paqes është një proces i përditshëm, që kërkon përkushtim të vazhdueshëm ndaj vlerave demokratike dhe bashkëpunimit rajonal.
“Ky është angazhimi ynë i përhershëm,” përfundon deklarata e tij. Flaka Media
















