Fetai: Do ta humbni edhe Gostivarin, Halil. Dhe ti e di këtë!
Në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, tensionet brenda ish partiakëve në ASH-në e Arben Taravarit kanë shpërthyer me tone të ashpra. Arben Fetai, një nga figurat që mbeti në VLEN, ka reaguar ndaj Halil Snopçes, ish-bashkëpartiak i tij, i cili sipas Fetait është bashkuar BDI-në.
Në një reagim publik, Fetai shkruan:
“Mjerim, Halil. Mjerim me zë dhe figurë.” Ai thekson se si ai dhe Azir Aliu vazhdojnë të qëndrojnë në vijën e njëjtë politike, në opozitë të qartë ndaj BDI-së, ndërsa akuzon Snopçen se ka përfunduar “në prehrin e BDI-së”, pranë një partie që dikur e kundërshtonin së bashku dhe pranë partisë Levica, të cilën e cilëson si “mohuese të gjithçkaje shqiptare”.
Fetai e akuzon Halil Snopçen për “cinizëm” dhe për shpifje ndaj ish-kolegëve të tij, duke i quajtur deklaratat e tij “ekspertizë frutash” dhe “trillime politike”, ndërkohë që nënvizon se vetë ka qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me Vetëvendosjen dhe autoritetet e Kosovës – në kontrast me Snopçen, që sipas tij, i ka shmangur këto kontakte.
“Kush e paskësh pasur maskën, Halil? Ne që i qëndruam besës ndaj votuesit, apo ti që parashikoje si sihirbaz ‘rënien e qeverisë për një javë’ pas ikjes te BDI-ja?”, pyet Fetai në mesazhin e tij.
Ai përfundon me një paralajmërim të qartë politik: “Do ta humbni edhe Gostivarin, Halil. Dhe ti e di këtë. Prandaj e ke humbur edhe kontrollin, edhe njerëzillëkun.”
Përplasja vjen në prag të zhvillimeve të rëndësishme zgjedhore dhe rikonfirmon tensionet e forta mes opozitës shqiptare dhe ish-anëtarëve të saj që kanë kaluar në radhët e pushtetit.
Snopçe i drejtohet Mickoskit: “A është propozimi juaj personal apo i VLEN-it?”
Në Kuvend, deputeti i ASH-Taravari, Halil Snopçe pyeti kryeministrin Hristijan Mickoskin nëse propozimi që Azir Ali të jetë ministër i Shëndetësisë ishte propozim personal i tij ose i VLEN-it, që siç tha Snopçe, Azir Aliu nuk ka gjasa të shkojë me mendjen e Arben Fetait ndërkohë që pati kritika për këtë të fundit.
Në anën tjetër, deputeti i Frontit Europian, Blerim Bexheti tha Azir Aliu shkoi deri në Zajaz për të kërkuar nënshkrimin e Ali Ahmetit, për dokumentin e partive politike shqiptare për eurointegrimet.
“Me intereson që propozimi në fjalë për ministër të Shëndetësisë, a është propozimi juaj personal apo është propozim i VLEN-it”, tha Snopçe.
Qoku: Propozimi që Aziri Aliu të jetë ministër i Shëndetësisë është propozim i VLEN-it
“Nuk do të lëshohem në analizë apo vlerësim të kandidatit të ciline keni propozuar por me vjen habi se do të jeni në një qeveri me një person i cili ka shkuar deri në Zajaz të kërkojë nënshkrimin e kryetarit të BDI-së, Ali ahmeti, që asnjë parti politike shqiptare nuk bëhet pjesë e Qeverisë, që nuk do vazhdojë me shpejtësi procesin e eurointegrimeve”, tha Bexheti.
Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku tha se propozimi që Aziri Aliu të jetë ministër i Shëndetësisë është propozim i VLEN-it, që siç tha, kjo ka ndodhur në bazë të marrëveshjes që kishin me kryeministrin Hristijan Mickoskin në fillim të mandatit.
Qoku tha se Aziri mbeti në vijën e marrëveshjes që është bërë në fillim dhe nuk shkoi te BDI-ja që siç tha, Taravari e quante kancer. Ndërkohë, Adnan Azizi tha se Azir Aliu mbetet aty ku ka qenë ndërsa për Taravarin tha se ka rënë nga pema. E deputetëve të tjerë të ASH-Taravari, Azizi u tha se nuk janë kthyer te populli, por te BDI-ja.
Mickoski: Azir Aliu dhe Albrim Hoxha fytyra të reja me energji dhe vizion për reforma në shëndetësi dhe bujqësi
Kryeministri Hristijan Mickoski, në një fjalim para Kuvendit, propozoi emërimin e Dr. Azir Aliut si ministër të ri të Shëndetësisë dhe Albrim Hoxhës si zëvendësministër të Bujqësisë, duke i cilësuar të dy si figura kyçe në procesin e reformave dhe modernizimit të institucioneve në vend.
“Dr. Azir Aliu përfaqëson një qasje të re dhe moderne në menaxhimin e sistemit shëndetësor. Ai është doktor i shkencave informatike, profesor dhe ekspert me përvojë të gjatë në fushën e sistemeve, të dhënave dhe zgjidhjeve digjitale – profile që i mungojnë shëndetësisë sonë për shumë kohë,” theksoi Mickoski.
Kryeministri e paraqiti Aliun si njeriun e duhur për të udhëhequr transformimin digjital të sistemit shëndetësor, në një kohë kur shumë vende të zhvilluara ofrojnë shërbime mjekësore me një klik, ndërsa qytetarët e Maqedonisë së Veriut ende përballen me byrokraci të lodhshme dhe pritje të gjata. “Koha është për ndryshim thelbësor, dhe energjia, vizioni dhe ekspertiza e Dr. Aliut janë bazë për këtë ndryshim,” u shpreh ai. Flaka Media
















