Stoilkoviç: Idrizi do të shkarkohet – Ky i fundit i reciton varxhet e Naimit
Drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, përmes vargjeve të Naim Frashërit i është përgjigjur kërcënimeve për shkarkim, pasi refuzoi të flasë maqedonisht në një prononcim për media, transmetoh Flaka
Pas paralajmërimit publik nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Marrëdhënieve Ndëretnike, Ivan Stoilkoviç, se “99 përqind” do të kërkojë shkarkimin e tij në seancën e ardhshme të qeverisë, Arsim Idrizi ka zgjedhur t’u përgjigjet jo me tone politike, por me vargje të poetit rilindas Naim Frashëri:
“Gjuha jonë sa e mirë,
Sa e ëmbël, sa e gjerë,
Sa e lehtë, sa e lirë,
Sa e bukur, sa e vlerë.”
Reagimi vjen pasi Idrizi nuk u përgjigj në gjuhën maqedonase gjatë një deklarate për mediat, duke theksuar se sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duhet të jetë i pranishëm përkthyesi për gjuhën shqipe. Ky veprim u interpretua si shkelje nga Stoilkoviç, i cili deklaroi në TV Kanal 5:
“Në seancën e ardhshme të martën, ai me siguri do të shkarkohet, 99 përqind. Kam lejen të inicioj një iniciativë në seancën qeveritare që ai të shkarkohet menjëherë.”
Ndërkohë, edhe kryeministri Hristijan Mickoski ka komentuar rastin, duke konfirmuar se ka folur me Idrizin dhe ka shprehur pritjen që “kjo të mos përsëritet”, në të kundërtën do të ketë shkarkim.
“Fola me të dhe nuk pres që kjo të ndodhë përsëri. Nëse ndodh, ai do të shkarkohet”, u shpreh Mickoski.
Kur u pyet për deklaratën e Stoilkoviçit, kryeministri u shpreh se nuk ishte në dijeni të një njoftimi të tillë:
“Nuk e di se ku e ka njoftuar Stoilkoviç këtë.”
Ky zhvillim ka ngjallur reagime të shumta në opinion, pasi ndërlidhet me temën e ndjeshme të përdorimit të gjuhës shqipe dhe zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit dhe një nga kërkesat kyçe të komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Flaka Media
















