Taravari: Qytetarët e kuptojnë reflektimin, kërkuam falje që ishim pjesë e kësaj qeverie
Absolutisht, patjetër të pranohen gabimet. Do ishte shumë e ndershme. Kështu e nisi sqarimin e tij kreu i ASH-së, Arben Taravari në emisionin “Politiko” në Kanal 10 në Kosovë, kur u pyet nëse duhet të ketë kërkim falje pse u bë pjesë e një qeverie e cila nuk i përfill shqiptarët.
“Reflektimin qytetarët e kuptojnë. Më mirë është ndonjëherë të thuash më falni se gabuam dhe nuk jemi duke shkuar në rrugë të drejtë dhe nuk dua të qëndrojë ministër, pasi unë isha ministër i Shëndetësisë. Në Maqedoni s’ka ndodhur asnjëherë të dorëhiqet dikush. Ka ndodhur vetëm një herë në 2017-tën që ASH u tërhoq nga Qeveria, por a e dini pse? Edhe atëherë e kishim Ministrin e Shëndetësisë dhe ajo na u mor dhe na jepnin një ministri tjetër pa resor, dhe ne tham dalim prej Qeverie”, deklaroi kreu i ASH, Taravari.
Ai tha se i janë ofruar edhe disa pozita tjera në ekzekutiv vetëm të mos largohet, por nuk i ka pranuar.
“Megjithatë, duke i pasur të gjitha ministritë, të gjitha drejtoritë me ofertë të na jepen edhe disa drejtori që të qëndrojmë në qeveri, dhe t’u thuash faleminderit, ne nuk e shohim më veten në këtë Qeveri pasi jemi të margjinalizuar, të papërfillur dhe dalim”, sqaroi Taravari.
Taravari tha se ky është rast i vetëm në historinë pluraliste të Maqedonisë që dikush e braktis qeverinë duke lënë të gjitha pozitat dhe të kalojë në opozitë. Flaka Media
















