Mickoski flet për ndarjen e çmimeve në sport: “Në sportet individuale, kjo ndarje është ndryshe”
Kryeministri Hristian Mickoski ka reaguar ndaj kritikave për mungesën e sportistëve shqiptarë në listën e të shpërblyerve me mirënjohje kombëtare për arritje të larta në sport. Sipas tij, ndarja e këtyre shpërblimeve bëhet sipas rezultateve konkrete dhe kriterit ligjor, veçanërisht në sportet individuale.
“Nuk kishte, përpos këtyre që i patë sot, emra të tjerë që kanë fituar Ligë të Kampionëve apo Euroligë. Në sportet individuale, kur të analizohet përqindja e atyre që kanë marrë pension të përhershëm sportiv, 47% janë maqedonas, mbi 20% janë shqiptarë, dhe pjesa tjetër i përket grupeve të tjera etnike,” deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se shpërblimet jepen sipas ligjit për sportistët që kanë arritur njohje sportive kombëtare, duke përfshirë një plaketë dhe pension të përhershëm mujor, në shumë që varion nga gjysma deri në një herë e gjysmë të pagës mesatare mujore në vend.
“Jam i bindur se shumë shpejt do të kemi kampionë të rinj – qofshin maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, romë, boshnjakë apo të tjerë – që do ta përfaqësojnë Maqedoninë me krenari, në sporte individuale dhe kolektive,” shtoi Mickoski.
Sportistët e nderuar sot me çmim kombëtar për arritje të larta:
🔹 Futboll: Goran Pandev, Darko Pançev, Ilija Najdovski
🔹 Basketboll: Petar Naumoski, Pero Antiç
🔹 Hendboll: Kiril Lazarov, Stojançe Stoilov, Vlado Nedanovski, Petar Angelov, Marko Kiziç, Marko Mishevski, Martin Popovski, Valentina Radulloviç, Elena Gjorgjievska, Indira Kastratoviç, Gordana Naceva, Mirjana Çupiç, Mileva Velkova, Anxhela Platon, Larisa Kiseljova, Elena Zlatanovska Muratovska, Klara Boeva
















