ASH-Sela: 11 shqiptarë largohen nga “Pyjet e Maqedonisë” në Strugë
Nga Njësia Rajonale e Ndërmarrjes Publike “Pyjet e Maqedonisë” në Strugë, sot janë larguar nga puna 11 punonjës shqiptarë, duke ngritur alarmin për një tjetër valë të përjashtimeve të shqiptarëve nga administrata publike.
Sipas reagimit të Aleancës për Shqiptarët, kjo është një dëshmi e qartë e politikave diskriminuese të qeverisë aktuale të udhëhequr nga koalicioni VMRO-VLEN, i cili, siç theksohet, ka filluar një fushatë sistematike të pastrimit të shqiptarëve nga pozitat shtetërore.
“Qeveria monoetnike dhe antishqiptare nuk është mjaftuar me punësimet e reja vetëm të maqedonasve, por tani po përjashton edhe shqiptarët që ishin punësuar më parë,” – thuhet në deklaratën e Ziadin Selës, kryetar i ASH-së.
Kjo situatë vjen pas shumë rasteve të ndërprerjes së kontratave të shqiptarëve në institucione të ndryshme dhe zëvendësimit të tyre me të punësuar të rinj maqedonas. Sipas partive opozitare shqiptare, diskriminimi nuk është i rastësishëm, por pjesë e një plani të strukturuar që ka nisur që nga fushata zgjedhore me moton e famshme të VMRO-së: “Maqedonia përsëri e jotja”.
ASH rikujton se gjatë vitit të parë të kësaj qeverie janë ndërmarrë veprime të qarta për të zbehur përfaqësimin e shqiptarëve, përfshirë këtu:
- Largimin e shqiptarëve nga pozita udhëheqëse në institucione;
- Shfuqizimin e balancuesit dhe përkatësisë etnike nga Gjykata Kushtetuese;
- Zëvendësimin sistematik të shqiptarëve me të punësuar maqedonas.
Këto veprime, sipas Aleancës për Shqiptarët, rrënojnë frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila garanton përfaqësim të drejtë dhe të barabartë të komuniteteve në institucionet publike.
















