Lajmi për aktivitetin e Fetait në Bërvenicë u raportua në mënyrë të organizuar në Facebook – tentativë për censurë?
Mbrëmjen e së mërkurës, redaksia e Flaka publikoi një lajm informativ mbi aktivitetin politik të Arben Fetait në komunën e Bërvenicës, si pjesë e turit organizativ të Aleancës për Shqiptarët. Ngjarja u zhvillua në kuadër të konsolidimit të strukturave në Pollog, dhe përmbante deklarata të drejtpërdrejta nga vetë Fetai.
Në theks të veçantë u vu prania e përfaqësuesve të partive të tjera brenda koalicionit VLEN, përfshirë Abep Nuhijin, kryetar i nëndegës së Lëvizjes BESA në Bërvenicë dhe këshilltar komunal. Burime të redaksisë konfirmuan pjesëmarrjen edhe të eksponentëve të tjerë nga partitë partnere të VLEN-it.
Lajmi, i bazuar tërësisht në të dhëna faktike, fotografi të publikuara nga vetë Arben Fetai në rrjetet sociale dhe burime të verifikueshme, u publikua pa asnjë përmbajtje të diskutueshme apo që shkel standardet gazetareske.
Por pas publikimit, lajmi u raportua në mënyrë të organizuar në platformën Facebook dhe për pasojë u suspendua. Redaksia ka ankimuar vendimin dhe është në pritje të rikthimit të postimit në platformë.
Dyshohet se pjesa që ka nxitur reagimin është pikërisht ajo që nënvizon pjesëmarrjen e përfaqësuesve të partive të tjera në tubimin e Fetait – një detaj që duket se nuk u ka konvenuar disa rrymave politike.
Redaksia Flaka thekson qartë se:
“Të gjitha informacionet në lajm janë të sakta, të verifikuara dhe të dokumentuara. Ne nuk publikojmë lajme të pasakta, nuk shpërndajmë informacione pa verifikim dhe respektojmë me përpikëri kodin etik të gazetarisë.”
Keqpërdorimi i opsionit “Report” në rrjetet sociale është një formë moderne e censurës – një tentativë për të ngulfatur fjalën e lirë, mendimin ndryshe dhe thelbin e demokracisë.
Redaksia rithekson përkushtimin ndaj informimit të drejtë, profesional dhe të paanshëm të opinionit publik, dhe do të vazhdojë të raportojë pa kompromis, pavarësisht presioneve apo tentativave për ndalim të fjalës së lirë. Flaka Media
















