BDI reagon ndaj gjuhës së Kryeministrit Mickoski: “Retorikë e rrezikshme që dëmton unitetin e shtetit”
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit publike të Kryeministrit Hristijan Mickoski, duke i cilësuar si të papërshtatshme, abuzive dhe me aludime të rrezikshme në baza fetare dhe etnike.
Në një deklaratë për media, BDI shpreh “shqetësim të thellë” për përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të një gjuhe që, sipas tyre, shkon përtej polemikës politike dhe cënon ndjeshmëritë bazike të shoqërisë.
“Deklarata e tij e fundit nuk është vetëm një qëndrim i papërshtatshëm politik, por përmban aludime të rrezikshme që prekin ndjeshmëri fetare dhe etnike,” thuhet në deklaratë.
BDI thekson se retorika e Mickoskit nuk ndikon vetëm te kundërshtarët politikë, por shkakton pasoja që i ndien i gjithë shteti dhe qytetarët e tij.
“Nëse qëllimi i Kryeministrit është të nxisë përçarje dhe konflikt, BDI nuk do të kontribuojë në një atmosferë të tillë, por nuk do të qëndrojë as pa reagim.”
Reagimi vjen pas një deklarate të fundit të Kryeministrit, në të cilën ai përdori shprehjen “gozhda në duar e këmbë” – një frazë që BDI e konsideron thellësisht të papërshtatshme dhe me konotacione të rrezikshme për një lider shtetëror.
“Të flasësh për ‘gozhda në duar e këmbë’ është jo vetëm e papërshtatshme, por thellësisht e rrezikshme për një lider që duhet të bashkojë qytetarët,” theksohet në reagim.
Partia shqiptare kërkon që Kryeministri të tregojë përgjegjësi më të lartë dhe të kuptojë peshën e funksionit që mban.
“Demokracitë e pjekura nuk ndërtohen mbi mallkime dhe fyerje, por mbi institucione, përgjegjësi dhe dialog dinjitoz. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Kryeministri, aq më pak dëme do t’i shkaktojë vendit që përfaqëson.”
Në përmbyllje, BDI riafirmon angazhimin e saj për të ardhmen evropiane të shtetit, për forcimin e bashkëjetesës dhe për mbrojtjen e dinjitetit të çdo qytetari, pavarësisht përkatësisë etnike apo politike. Flaka Media
















