Ademi: Fjalori i Kryeministrit rrezikon destabilizim – Nuk do të heshtim përballë gjuhës që përçan
Ish-ministri dhe zyrtari i lartë i BDI-së, Arbër Ademi ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së përdorur nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar atë si një shkallëzim të qëllimshëm të tensioneve dhe një kërcënim real për bashkëjetesën.
“Nuk e kam zakon të reagoj ndaj çdo deklarate politike, por këtë radhë më duhet. Kur një Kryeministër flet me gjuhë të tillë me gozhda, shpifje, aludime religjioze – nuk është thjesht një debat politik. Është një shkallëzim i qëllimshëm i tensionit. Dhe është shumë e rrezikshme,” ka shkruar Ademi në një reagim publik.
Ai shtoi se pas kësaj retorike nuk fshihet forcë, por frikë – frikë nga dështimi, nga e vërteta dhe nga e ardhmja. “Kur s’mund ta përballësh realitetin, nis të shpikësh ‘armikun’. Dhe si gjithmonë, armiku duhet të jetë një shqiptar.”
Duke u shprehur qartë për identitetin dhe përkatësinë e tij, Ademi theksoi se nuk do të heshtë: “Unë jam shqiptar, jam pjesë e këtij shteti dhe nuk kam ndërmend të hesht. Nuk jemi të vetëm dhe nuk do të jemi të heshtur.”
Në përmbyllje, ai theksoi se ky vend i përket të gjithëve, duke bërë thirrje për refuzim të gjuhës së urrejtjes dhe për ruajtjen e bashkëjetesës: “Ky vend nuk i përket as atyre që mallkojnë, as atyre që përçajnë. Ky vend është i të gjithëve. Dhe nuk do ta lejojmë të na e marrë askush.” Flala Media
















