VLEN: Rritje e ndjeshme e përfaqësimit shqiptar në sektorin energjetik!
Në një vend ku diskriminimi në punësime ishte shndërruar në normë për më shumë se dy dekada, koalicioni VLEN po vendos standarde të reja të barazisë dhe përfaqësimit të drejtë në institucionet shtetërore. Një prej shembujve konkretë është konkursi i fundit i shpallur nga Shoqëria Aksionare për Ushtrimin e Veprimtarisë Energjetike – NOMAGAS Shkup, ku 8 nga 18 të punësuarit e rinj janë shqiptarë, transmeton Flaka
“Në një vend ku për shumë vite diskriminimi ishte bërë normë dhe shpresat për punësim të drejtë ishin venitur, sot po ndërtojmë realitetin e ri – një realitet ku përkatësia etnike nuk është pengesë, por pasuri,” thuhet në kumtesën zyrtare nga VLEN.
Kjo ndërmarrje shtetërore, që historikisht kishte përjashtuar shqiptarët nga përfaqësimi i barabartë, tashmë po përjeton transformim nën drejtimin e drejtorit Muhamet Elmazi, i cili sipas VLEN-it, udhëheq me integritet dhe vizion profesional.
“BDI në periudhën 2002–2024: 84 punësime në këtë ndërmarrje, vetëm 11 shqiptarë, përfaqësim i mjerueshëm prej 13.1%,” thekson VLEN, duke shtuar:
“VLEN në vetëm 9 muaj qeverisje: 8 shqiptarë të punësuar në një konkurs të vetëm – përfaqësimi ngjitet në 44.4%.”
Sipas kumtesës, ky është një dëshmi konkrete se si VLEN po ndryshon realitetin në mënyrë të qëndrueshme dhe jo përmes propagandës boshe.
“Derisa të tjerët për 22 vite e shndërruan administratën në bunker partiak, me përzgjedhje klienteliste dhe përjashtuese, VLEN me vetëm pak muaj punë po vendos standarde të reja të barazisë dhe meritës.”
Partia thekson se nuk bën politikë të gënjeshtrave, por ndërton mbi drejtësinë dhe faktet, duke rikthyer besimin e qytetarëve në shtet.
“Kjo është ajo që ne quajmë ndryshim. Ky është dallimi që e ndien çdo qytetar. VLEN nuk bën fushatë me gënjeshtra, VLEN ndërton me drejtësi!”
VLEN përmbyll deklaratën me mesazhin se është e përkushtuar për përfaqësim të drejtë, mundësi të barabarta dhe për një të ardhme që qytetarët e meritojnë. Flaka Media
















