Përplasje Mickoski–Filipçe: Akuzat për “spiunim” dhe “autoritarizëm” tensionojnë skenën politike
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për bashkim kombëtar, skena politike në Maqedoninë e Veriut mbetet e polarizuar. Dy liderët e partive kryesore – Hristijan Mickoski i VMRO-DPMNE-së dhe Venko Filipçe i LSDM-së – kanë shkëmbyer deklarata të ashpra në ditët e fundit.
Gjatë festimeve për ditëlindjen e partisë së tij, Mickoski akuzoi ashpër Filipçen për “spiunim të vendit në Greqi”, duke iu referuar pjesëmarrjes së këtij të fundit në një panel në Athinë të organizuar nga ish-kryeministri grek Aleksis Cipras.
“Nuk mund të lejojmë që ata që supozohet të jenë roje të interesave kombëtare të na spiunojnë jashtë vendit. Dhe të mos mendojnë se premtimet për lëshime, degradime dhe poshtërime do t’i sjellin përsëri në Qeveri,” deklaroi Mickoski.
“Ajo që bëri Venko Filipçe në Athinë vetëm sa na kujtoi se spiunimi i vendit tënd nuk është diçka e panjohur dhe nuk duhet harruar, në mënyrë që të mos ndodhë përsëri.”
Në kundërpërgjigje, LSDM dhe vetë Filipçe i hodhën poshtë akuzat si të pavërteta dhe politike.
“Fakti që Mickoski po përpiqet të vendosë një diktaturë autoritare në Maqedoni dhe se qëllimi i tij u zbulua në skenën ndërkombëtare nuk është ‘spiunazh’, por patriotizëm,” tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
“VMRO, LUFTA ÇLIRIMTARE dhe ASNOM janë gjeneza e luftëtarëve kundër diktaturës, regjimeve autoritare dhe supremacistëve. Të jesh autoritar do të thotë të jesh supremacist, dhe aspak patriot.”
Filipçe, në fjalën e tij në Athinë, kritikoi ashpër qeverinë e re të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, duke e cilësuar atë si regresive dhe të rrezikshme për rrugën eurointegruese të vendit:
“Mickoski po udhëheq një qeveri autoritare të krahut të djathtë që nuk dëshiron ta çojë vendin përpara drejt BE-së dhe po ndjek politika të këqija ekonomike,” deklaroi ai në panelin ndërkombëtar.
Mickoski ndërkohë tha se nuk e kupton pse opozita e etiketon qeverinë si autoritare:
“Nuk e di çfarë ka shkaktuar ndjenjën tek opozita se unë udhëheq një qeveri autoritare. Ne kemi më shumë liri tani në shoqëri se kurrë më parë,” theksoi ai.
Përplasja mes dy liderëve shënon një tjetër episod të tensionuar në politikën e brendshme, në një kohë kur vendi përballet me sfida serioze në procesin eurointegrues dhe në menaxhimin e krizave të brendshme. Flaka Media
















