VLEN po “vlenizon” edhe hiset e kazinove, populli nuk mashtrohet më
Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të eksponentëve të koalicionit VLEN, duke e cilësuar si “inskenim të radhës” për të maskuar, sipas saj, dështimet dhe hipokrizinë politike të këtij blloku, transmeton Flaka
Në fokus të reagimit është deklarata e Izet Mexhitit lidhur me mbylljen e kazinove pranë shkollave, që sipas ASH-së përbën një “manipulim të pastër”.
“Realiteti në terren flet ndryshe: qytetarët shqiptarë, në çdo qytet e lagje, janë dëshmitarë të hapjes së vazhdueshme të kazinove dhe pikave të basteve në afërsi të shkollave dhe zonave të banuara”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Partia opozitare thotë se kjo tentativë për të mashtruar opinionin publik është jo vetëm qesharake, por edhe fyese për inteligjencën e qytetarëve shqiptarë. Ajo akuzon drejtpërdrejt Mexhitin për kthimin e Lotarisë Shtetërore në një instrument klientelist.
ASH ka hedhur akuza konkrete duke përmendur emrin e Ahmet Miftarit, i cili u prezantua nga Mexhiti si kuadër i VMRO-së, por që sipas Aleancës është bashkëpunëtor i afërt i Mexhitit dhe anëtar i Lëvizjes Demokratike. Gjithashtu, ASH flet për emërime të të afërmve të Mexhitit në Bordin e Lotarisë si dëshmi për keqpërdorim institucional.
“Ndërsa qytetarët përballen me varfëri, papunësi dhe përjashtim nga institucionet, eksponentët e VLEN-it janë të përqendruar në ndarjen e privilegjeve dhe mbushjen e bordeve me militantë e familjarë”, thekson ASH.
Në fund të deklaratës, Aleanca për Shqiptarët paraqet tre kërkesa: Hetim të plotë dhe të pavarur për funksionimin e Lotarisë Shtetërore dhe emërimet e dyshimta në institucionet publike, Kundërshtim të propagandës mashtruese që, sipas tyre, tenton të deformojë realitetin, dhe Zbatim të ligjeve të qarta dhe kontroll të rreptë për të luftuar industrinë e bixhozit, me vullnet të sinqertë politik.
ASH përkujton se braktisi qeverinë pikërisht për shkak të mosrealizimit të zotimeve ndaj qytetarëve, përfshirë edhe premtimin për mbylljen e kazinove, ashtu siç ka ndodhur në Shqipëri dhe Kosovë.
“Qytetarët shqiptarë nuk do të mashtrohen më nga ‘liderë’ që përdorin fjalët për të fshehur interesat personale. Ata e shohin dhe e kuptojnë realitetin më mirë se kushdo tjetër”, përfundon reagimi. Flaka Media
















