Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat – Deklarimi i përkatësisë etnike mbetet vullnetar
ALSAT ka siguruar ekskluzivisht draftin e ligjit shumëpërfolur për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, i cili pritet të hyjë në tryezën e Qeverisë të martën e ardhshme për miratim. Ky ligj, për herë të parë në vend, ngre në nivel ligjor parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të komuniteteve në të gjitha nivelet e pushtetit, duke zëvendësuar mekanizmin e Balancuesit, i shfuqizuar vitin e kaluar nga Gjykata Kushtetuese.
Bazuar në amendamentin VI të Kushtetutës, ligji detyron institucionet që të respektojnë dhe avancojnë përfaqësimin adekuat të komuniteteve, duke ruajtur parimet e profesionalizmit, integritetit, transparencës dhe përfshirjes së gjithanshme, pa lejuar diskriminimin e qytetarëve.
Një nga risitë është që deklarimi i përkatësisë etnike mbetet vullnetar, ndërsa për përcaktimin e përkatësisë do të përdoren të dhëna të ndryshme si gjuhë letërnjoftimi dhe dokumente të tjera shtesë. Për punësimet, institucionet do të bazohen në rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë dhe do të mundësojnë trajtim të veçantë për komunitetet që kanë përfaqësim të ulët, pa e konsideruar këtë diskriminim ndaj komuniteteve të tjera.
Zbatimin e ligjit do ta monitorojë një trup qeveritar i përbërë nga zv/kryeministri, ministra, përfaqësues nga agjencia për nëpunësit administrativë, Avokati i Popullit, Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe komuniteti akademik. Ndërsa ligji nuk parashikon masa ndëshkuese direkte, Komisioni Anti-Diskriminim do të ketë rol monitorues ndaj këtij trupi.
Brenda gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi, pritet të miratohen aktet nënligjore për zbatimin e ligjit dhe Qeveria do të bëjë një rishikim të të gjitha ligjeve që lidhen me përfaqësimin adekuat. Drafti i ligjit do t’i dërgohet Komisionit të Venecias për shqyrtim para se të dërgohet në Kuvend, duke hapur rrugën për amendime dhe debat publik mbi efektivitetin dhe politizimin e tij.
Ky ligj pritet të sjellë një rregullim më të qartë dhe efektiv të përfaqësimit të komuniteteve në institucione, duke synuar avancimin e drejtësisë dhe barazisë në përbërjen e pushtetit në Maqedoninë e Veriut.
















