Jonuzi flet për rritjen e ndikimit iranian te partitë shqiptare. Cila është partia për të cilën u ngritën dyshime?
Botuesi i PressOnline.al, Destan Jonuzi, ka bërë një paralajmërim serioz lidhur me rritjen e ndikimit iranian në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar nga elitat politike dhe institucionet shtetërore masa konkrete për të frenuar depërtimin e ideologjisë iraniane në vend.
Në një deklaratë publike, Jonuzi ka theksuar se mbështetja deklarative ndaj partnerëve strategjikë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, nuk mjafton. Ai i ka bërë thirrje institucioneve që të veprojnë për të parandaluar përhapjen e ndikimit ideologjik iranian dhe të sanksionojnë ligjërisht partitë politike dhe mediat që kanë lidhje me këtë shtet apo që ndihmojnë përhapjen e propagandës së tij.
“Duhet të hetohen seriozisht ato media që kanë lidhje me para të pista nga Irani dhe që veprojnë në shërbim të interesave të huaja ideologjike. Është çështje sigurie kombëtare,” theksoi Jonuzi, duke paralajmëruar për rreziqet që sjell ky fenomen për stabilitetin dhe sigurinë e vendit.
Jonuzi nuk apostrofon emra partishë por në opinion gjërë e gjatë është folur që financa nga Irani ka pranuar atëherë Lëvizja Besa e bashkuar.
Në qendër të këtij shqetësimi ka qenë Lëvizja BESA, subjekt politik i cili akuzohet nga disa subjekte dhe individë për lidhje me financime nga shtete arabe, përfshirë Iranin. Megjithatë, deri më sot, këto akuza kanë mbetur kryesisht në nivel politik, për shkak të mungesës së provave zyrtare bindëse.
Sipas dokumenteve të Regjistrit Qendror të Maqedonisë, të cilat lajmi.net i ka siguruar në vitin 2017, ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis Lëvizjes BESA dhe një organizate civile me emrin “Qendra për Civilizim Islamik”. Kjo organizatë është themeluar në vitin 2008 dhe ka deklaruar një pasuri të jashtëzakonshme prej 45 milionë eurosh dhe gjithsej 796 të punësuar në vitin 2010.
Anëtarë dhe themelues të kësaj qendre janë figura të larta politike dhe intelektuale, përfshirë deputetë dhe themelues të Lëvizjes BESA, duke krijuar një lidhje të pashmangshme midis kësaj partie dhe organizatës.
Themeltarët dhe anëtarët kryesorë të Qendrës për Civilizim Islamik
Nga dokumentet rezulton se ndër themeluesit e organizatës janë:
- Zeqirija Ibrahimi – deputet i Lëvizjes BESA dhe i punësuar në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore
- Adnan Ismaili – themelues i Lëvizjes BESA dhe pronar i Shtëpisë Botuese Logos-A
- Bajrambejamin Idrizi – teolog dhe anëtar i Lëvizjes BESA
- Sulejman Baki – teolog dhe përfaqësues i TIKA-s
- Muhamed Jahja
Adnan Ismaili dhe Bajrambejamin Idrizi figurojnë si themelues, ndërsa të tjerët janë pjesë e Këshillit Drejtues të Qendrës.
Në Kuvendin e parë të organizatës në vitin 2013, si kuvendarë janë përfshirë figura të njohura intelektuale dhe politike, mes të cilëve edhe deputetë të Lëvizjes BESA dhe gazetarë të njohur në vend. Disa nga këto figura sot janë në Lëvizjen Besa e të tjerë tek Alternativa.
Pasuri dhe burimet e financimit
E çuditshme dhe shqetësuese mbetet fakti se një organizatë joqeveritare, përbërë nga intelektualë dhe aktivistë, ka menaxhuar pasuri prej dhjetëra milionë eurosh dhe një staf prej mbi 700 punonjësish, ndërkohë që intelektualët shqiptarë në rajon përballen me vështirësi ekonomike dhe mungesë financimi.
Qendra për Civilizim Islamik ka bashkëpunim të hapur me Shtetin e Katarit, duke marrë mbështetje financiare nga biznesmenë, princër dhe sheikë të pasur të këtij vendi. Këto fonde përdoren edhe për blerjen dhe rinovimin e objekteve historike osmane, duke i kthyer në seli të organizatës. Në hapjen e një prej këtyre selive, mysafir nderi ishte edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov.
Ky fenomen ngre shumë pyetje dhe shqetësime lidhur me transparencën dhe kontrollin mbi burimet e financimit të organizatave dhe partive politike në vend:
- Si është e mundur që këto mjete të hyjnë në vend dhe të shpërndahen në forma të ndryshme pa u hetuar nga institucionet shtetërore?
- A ka pjesëmarrje të strukturave shtetërore në këtë rrjet financiar?
- Sa është i përhapur ndikimi i kësaj rrjete në media dhe organizata të tjera?
Në vitin 2016, Lëvizja BESA u nda në dy parti të ndryshme, ku njëra prej tyre, Alternativa, u krijua si fraksion brenda kësaj strukture. Ky zhvillim i ri ngre shqetësime serioze për ndikimet e jashtme në politikën shqiptare të Maqedonisë së Veriut dhe nevojën urgjente për mekanizma më të fortë institucionalë për mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare.
















