Fatmir Limani: Ky vit ka qenë një kthesë reale drejt përfshirjes dhe barazisë
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka vlerësuar se viti i parë i qeverisjes së re ka qenë një pikë kthese për vendin, duke vendosur themelet e një shteti më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë qytetarët. “Në një kohë kur vendi ishte përmbytur nga krimi, korrupsioni, padrejtësia dhe harresa, vendosëm të mos ankohemi, por të veprojmë. Ta ndryshojmë dhe ta çojmë përpara vendin”, ka deklaruar Limani.
Ai theksoi se për shumë qytetarë që për vite janë ndjerë të anashkaluar, ky vit ka qenë një kthesë reale drejt përfshirjes dhe barazisë. “Për shqiptarët, për çdo komunitet, për çdo qytetar, për çdo familje, për çdo të ri e çdo të moshuar që ka pritur me vite të ndihet pjesë e barabartë e këtij shteti, ky vit ka qenë një kthesë”, theksoi ministri.
Sipas tij, themelet e ndryshimit janë vendosur, dhe tashmë nis faza e ndërtimit të një shteti ligjor, të fuqishëm dhe të drejtë për të gjithë. “Një vit nuk është shumë, por mjafton për të parë drejtimin. Mjafton për të parë ndryshimet”, përfundoi Limani.
















