BDI dhe ASH kundër draft-ligjit të përfaqësimit: “Mashtrim politik, jo reformë”

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Qershor, 2025 09:59

BDI dhe ASH kundër draft-ligjit të përfaqësimit: “Mashtrim politik, jo reformë”

Në ditën kur pritet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut ta miratojë Propozim-Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, reagimet e opozitës shqiptare janë të ashpra dhe të njëzëshme, transmeton Flaka. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH – krahu i Arben Taravarit) e konsiderojnë këtë propozim si hap prapa në barazinë etnike, një projekt që zëvendëson garancitë reale me simbolikë burokratike.

BDI: Nga një instrument kushtetues në farsë administrative

“Ky është një përpjekje për të transformuar një detyrim kushtetues në farsë administrative dhe për të zhbërë një nga shtyllat më të rëndësishme të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit: përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të bashkësive etnike,” thuhet në reagimin zyrtar të BDI-së.

Sipas kësaj partie, ligji i propozuar zëvendëson Balancuesin – një mekanizëm ligjor, transparent dhe i detyrueshëm – me një strukturë të paqartë dhe joproduktive siç është “trupi koordinues”, që nuk ka asnjë fuqi për të detyruar institucionet të respektojnë barazinë.

“Zëvendësimi i kalkulatorit të saktë me ‘raporte vjetore’ dhe ‘trupa koordinuese’ është një akt politik që prodhon padrejtësi dhe dominim etnik institucional”, thekson BDI, duke e quajtur këtë një tentativë të hapur për t’i dhënë fund përfaqësimit të drejtë përmes ligjit.

Për BDI-në, përgjegjësia bie edhe mbi ata që sot e promovojnë këtë projekt: “Servilizmi prodhon politika servile, dhe BDI nuk do të lejojë që shqiptarët të trajtohen si dekor në shtetin që ata e ndërtojnë përditë.”

Duke vënë në pikëpyetje edhe autorësinë e ligjit, BDI ngre alarmin për përfshirjen e Tanja Karakamisheva-Jovanovska, e cilësuar si figurë notore për qëndrimet e saj kundër multietnicitetit dhe Marrëveshjes së Ohrit. “Si mund të jetë Karakamisheva politikbërëse në një proces që synon barazinë?”, shtrohet pyetja në deklaratën e BDI-së.

Aleanca për Shqiptarët: Ligji i VLEN-it, draft i Tanjës

Në një deklaratë të veçantë, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit paralajmëron se propozim-ligji i hartuar nga Karakamisheva është “tërësisht i papranueshëm”, duke renditur pesë mangësi thelbësore:

– mungesën e garancisë për përkatësinë etnike,

– mungesën e mekanizmave detyrues për përfaqësim,

– mungesën e sanksioneve për institucionet që e shkelin ligjin,

– zëvendësimin e balancuesit me një organ formal pa fuqi,

– dhe faktin që nuk ofrohet asnjë zgjidhje funksionale për zëvendësim të sistemit ekzistues.

ASH thekson se në vend të një ligji të zbatueshëm, shqiptarëve po u ofrohet një dokument deklarativ pa fuqi ligjore dhe me një retorikë që fsheh diskriminimin pas termave si “meritë” dhe “kompetencë”.

“Ritheksojmë se mungesa e mjeteve për të matur përfaqësimin, mungesa e sanksioneve dhe zëvendësimi i detyrimeve me ‘rekomandime’ e bëjnë këtë ligj të papranueshëm dhe rrezikshëm,” thuhet në kumtesën e ASH-së.

Partia e Taravarit gjithashtu kërkon tërheqjen e menjëhershme të propozim-ligjit dhe nisjen e një procesi të ri, ku përfaqësuesit shqiptarë të kenë rol vendimtar në hartimin e një ligji të drejtë dhe me garanci reale.

Të dyja partitë opozitare kanë paralajmëruar përdorimin e të gjitha mjeteve demokratike për të ndalur kalimin e ligjit në Kuvend. Me gjasë, projektligji do të hapë një konflikt të ri politik mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe rolin e shqiptarëve në shtet, sidomos nëse partnerët e koalicionit qeveritar – veçanërisht VLEN – vendosin ta përkrahin pa rezerva draftin e propozuar.

Në qendër të kritikave mbetet përfshirja direkte ose indirekte e Tanja Karakamishevës, e cila nuk njihet për afinitet ndaj barazisë ndër-etnike, por për qasje të centralizuara dhe ekskluziviste në raport me sistemin politik. Flaka

278
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Qershor, 2025 09:59
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
278
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?