Adnan Azizi me nota superlative për qeverisjen VLEN dhe VMRO-DPMNE
Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka shpërndarë një deklaratë të fuqishme publike përmes rrjeteve sociale, ku thekson rezultatet konkrete që po arrihen nga Qeveria dhe shumica e re parlamentare. Sipas tij, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut për herë të parë pas dekadash po përfaqësohen me dinjitet dhe vendimmarrje që pasqyron prioritetet reale të qytetarëve.
“VLEN me vepra po dëshmon përkushtimin kombëtar dhe qytetar, po sjell pjekuri politike të paprecedent në skenën shqiptare në Maqedoni,” ka shkruar Azizi.
Ai ka renditur disa vendime të rëndësishme që janë miratuar sot nga Kuvendi dhe Qeveria:
Zgjedhja me Badenter e anëtarëve të:
- Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMA)
- Këshillit programor të Televizionit të Maqedonisë (TVM)
Miratimi i disa ligjeve kyçe:
- Ligji për Inspektoratin e Gjuhëve, që zhbllokon pagat pas 5 muajsh
- Ligji për mbrojtjen e fëmijëve
- Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat
Zbatimi i sistemit “ONE STOP SHOP” në pikën kufitare në Tabanoc (mes Kumanovës dhe Luginës), që do të shkurtojë ndjeshëm pritjet për mërgimtarët dhe qytetarët.
Azizi thekson se po ndërtohet një sistem funksional dhe efikas, i cili po e rikuperon vendin nga, siç e quan ai, “shkatërrimi dhe zhvatja dydekadëshe”.
“Këto janë premtime të realizuara, jo fjalë boshe. Iku koha e përrallave dhe krimit, jemi në kohën e realitetit VLEN-it dhe ndryshimit. Vepra dhe suksese, jo përralla e fukarallëk!”, përfundon deklaratën zëdhënësi i VLEN-it. Flaka
















