Ismaili nga Gostivari: Ky qytet ka qenë dhe do të mbetet bastion i Aleancës për Shqiptarët
Kryetarja e Asamblesë së Gruas pranë ASH, Elfete Ismaili, nga tubimi në Gostivar bëri thirrje për mobilizim të grave dhe rinisë, duke e cilësuar ASH-në si një lëvizje për bashkim kombëtar, raporton Flaka
Në një tubim të mbajtur sonte në Gostivar, kryetarja e Asamblesë së Gruas pranë Aleancës për Shqiptarët, Elfete Ismaili, theksoi se ky qytet ka qenë dhe mbetet bastion i fuqishëm i partisë. Ajo u bëri thirrje grave dhe të rinjve të mos qëndrojnë më spektatorë, por të marrin rolin që u takon në jetën politike dhe shoqërore.
“Gostivari gjithmonë ka qenë i pari dhe i tillë do të vazhdojë të jetë – bastion i ASH-së,” tha Ismaili në hapje të fjalimit të saj.
Ajo i kushtoi një pjesë të veçantë të fjalës rolit të grave në këtë proces:
“Ne sonte jemi mbledhur jo vetëm për një tubim politik, por për të folur për të ardhmen tonë, pa mbetur spektatorë në tokat tona. Është koha që të ngrihet zëri edhe më lart, sidomos ju, gratë që mbani mbi supe barrën e familjes dhe ekonomisë.”
Ismaili i bëri thirrje rinisë që të jetë aktive dhe të mos presë më premtime boshe:
“Ju rini, me ide dhe guxim mund ta çoni vendin para. Merrni hapësirën që ju takon dhe punoni ashtu siç i ka hije rinisë së ASH. Ne nuk kërkojmë premtime të zbrazëta, por përfaqësim të denjë.”
Duke e cilësuar ASH-në si më shumë se një parti politike, Ismaili e përshkroi atë si një thirrje për bashkim:
“Kjo lëvizje, kjo platformë politike nuk është vetëm një parti, por thirrje për bashkim. Çdokush e ndien se kjo parti është me të dhe për të.”
Në fund, ajo përmbylli fjalën me një thirrje për fitore:
“Nga Gostivari të nisim një kapitull të ri. Një Gostivar që nuk ka heshtur kurrë dhe ku Valbon Limani fiton. Le të jemi motivi që sjell fitore – fitore për Aleancën për Shqiptarët!”
















