Taravari nga Gostivari: Katër dështimet fatale të VLEN-it që na detyruan të kalojmë në opozitë
Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në një tubim me qytetarët e Gostivarit, shpalosi arsyet kryesore që çuan partinë e tij në dalje nga Qeveria. Ai përmendi katër dështime të thella të bashkëqeverisjes me VMRO-DPMNE-në që, sipas tij, zhgënjyen shqiptarët.
Flaka
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, gjatë një tubimi të mbajtur në Gostivar, ka deklaruar se vendimi për dalje nga Qeveria ishte i pashmangshëm për shkak të dështimeve sistematike të realizimit të marrëveshjes politike me VMRO-DPMNE-në. Ai theksoi se Aleanca po kthehet te populli, sepse premtimet e dhëna nuk janë realizuar.
“Para një viti e disa muajsh, ne thamë se do të sjellim ndryshimin. Filluam nga komunat si Gostivari dhe Tetova dhe u shtrihemi në vendbanimet tjera. Me 24 prill dhe 8 maj morëm 107 mijë vota dhe atëherë premtuam: ‘Ne jemi ndryshimi’,” tha Taravari.
Ai sqaroi se marrëveshja me VMRO-DPMNE-në ishte e qartë dhe përbëhej nga katër pika kryesore, të cilat sipas tij, janë dështuar tërësisht:
Dështimi i eurointegrimit
“Premtuam se për 6 muaj do ta ndryshojmë Kushtetutën dhe do të fillonim negociatat me BE-në. Ka kaluar një vit dhe jemi askund. Të gjithë faktorët ndërkombëtarë thonë: ‘Jeni më keq se një vit më parë’.”
Centralizimi i pushtetit lokal
“Premtuam ndryshimin e Ligjit për pushtet lokal. Ai ligj që është në Parlament sot është edhe më centralist se më parë. Komunat sot kanë më pak kompetenca se një vit më parë. Ne nuk do ta votojmë këtë ligj.”
Lufta kundër krimit dhe korrupsionit
“Na premtuan arrestime masive brenda 6 muajve. Përveç rastit të Kocanit, çfarë tjetër ndodhi? 2, 3, 5 persona? Asgjë më shumë.”
Mospërfshirja e shqiptarëve në zhvillim ekonomik
“Nga kredia prej 250 milionë euro të ndara për ndihmë për kompanitë private, përfituan 200 kompani. Sa prej tyre janë shqiptare? Asnjë. Zero!”
Duke përmbledhur të gjitha këto, Taravari tha se qëndrimi në Qeveri nuk kishte më kuptim:
“Na ofruan edhe drejtori, por thamë jo. Nuk është çështje poste. Kthehemi te populli, sepse ajo që premtuam nuk po e realizojmë. Kjo është hera e parë që një parti shqiptare del vetë nga qeveria për arsye parimore.”
Me këtë mesazh të qartë dhe me kritika të artikuluara, Taravari la të kuptohet se ASH do të ndërtojë pozicionin opozitar mbi baza programore dhe morale, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve përballë, siç tha ai, një qeverie që i ka zhgënjyer shqiptarët. Flaka Media
















