VLEN: Ligji i ri për Inspektoratin e Gjuhëve sjell kompensime dhe fuqi për të shqiptuar gjoba!
Koalicioni VLEN ka njoftuar se Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për Administratën Shtetërore, duke hapur kështu rrugën për zgjidhjen e çështjes së kompensimit financiar për punonjësit e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
Sipas njoftimit të VLEN-it, ky është një problem që ka mbetur i pazgjidhur për vite të tëra nga qeveritë e mëparshme, por që tani po merr një drejtim të qartë falë angazhimit të tyre dhe vullnetit të shumicës parlamentare.
🔹 “Pas stabilizimit të kësaj situate, VLEN do të nisë menjëherë procedurat për ngritjen e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve në një nivel më të lartë institucional, me qëllim që më pas edhe Inspektorati i Gjuhëve t’i bashkëngjitet këtij institucioni të rëndësishëm,” thuhet në njoftim.
Ndryshimet e miratuara parashikojnë gjithashtu që Inspektorati i Gjuhëve të fitojë kompetencën për shqiptimin e gjobave, çka shihet si një hap kyç për rritjen e efikasitetit dhe për zbatimin konkret të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
VLEN thekson se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për avancimin e pozitës së gjuhës shqipe dhe garantimin e të drejtave të barabarta gjuhësore për të gjithë qytetarët.
















