“Bujar Osmani: Shqiptarët, faktor kyç në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së”
Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe zyrtari lartë i BDI-së, Bujar Osmani, ka zhvilluar një takim me Zuzana Michalcová Šutiaková, shefe e Divizionit për Evropën Juglindore në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian, në ambientet e Delegacionit të BE-së në Shkup.
Në një prononcim pas takimit, Osmani tha se diskutimi ishte i hapur dhe i përqendruar në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut – një rrugëtim që sipas tij kërkon jo vetëm vullnet politik, por edhe kapacitete institucionale dhe përvojë në menaxhimin e sfidave të brendshme dhe të jashtme.
“Gjatë viteve, kam negociuar për këtë rrugë, e kam mbrojtur në çdo tavolinë ndërkombëtare, dhe e kam ndier në çdo ngërç e çdo përparim. Prandaj sot, më shumë se kurrë, jam i bindur: e ardhmja evropiane e vendit tonë është e mundur”, deklaroi Osmani.
Takimi me zyrtaren e BE-së vjen në një moment kritik për perspektivën euro-integruese të vendit, mes sfidave të reja politike dhe pritjeve të larta nga qytetarët. Osmani nënvizoi rëndësinë e vazhdimësisë në përkushtimin institucional dhe theksoi se integrimi evropian është një proces që kërkon vendosmëri afatgjate. Flaka
















