Danella Arsovska denoncon mosreagimin e Ministrisë së Brendshme ndaj kërcënimeve ndaj saj dhe familjes
Kryetarja e Komunës së Shkupit, Danella Arsovska, ka ngritur zërin publikisht për mosveprimin e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut ndaj kërcënimeve të vazhdueshme që ajo dhe familja e saj po marrin. Arsovska thekson se, pavarësisht që ka bërë kallëzime dhe ka folur hapur për këto raste, Policia ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim formal për asnjë prej tyre.
Në një reagim publik, Arsovska thekson se ndërkohë që kërcënimet ndaj saj janë serioze dhe rrezikojnë sigurinë e saj, të fëmijës dhe të stafit të komunës, Policia po vazhdon të “tërhiqet me justifikime absurde”. Si shembull, ajo përmend një nga rastet në komunën e Butelit, ku sipas dokumentacionit zyrtar, autori i kërcënimeve rezulton si “një person fantomë” që jeton në një adresë në Çair në një ndërtesë me 19 apartamente.
Arsovska publikoi edhe fotografi që dëshmojnë mënyrën e trajtimit të rasteve të ngjashme në Maqedoni, duke vënë në pah dallimin kur kërcënimet nuk janë drejtuar ndaj saj personalisht.
Ajo njofton se së shpejti do të bëhet një inspektim në terren për të gjetur pronarët e ndërtesave, që sipas pretendimeve janë ndërtuar nga persona që në moshën 5-vjeçare kanë pasur fonde për ndërtim milionësh, një shqetësim që ajo e quan të dyshimtë dhe kërkon zbardhjen e tij.
Gjithashtu, Arsovska paralajmëron se do të kërkojë hetim nga Policia Financiare për të përcaktuar burimin e fondeve dhe rrjedhën e parave për këto ndërtime, si dhe mënyrën se si persona në moshë fare të re kanë mundur të përfshihen në transaksione të tilla. Flaka
















