Komiteti i OKB-së: Shqetësime për lirinë e shtypit dhe trajtimin e migrantëve në Maqedoninë e Veriut
Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka përfunduar shqyrtimin e raportit të katërt periodik të Maqedonisë së Veriut për zbatimin e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, në kuadër të sesionit të 144-të që po mbahet në Gjenevë.
Gjatë diskutimeve, ekspertët e Komitetit vlerësuan përpjekjet e vendit për të adresuar diskriminimin, por ngritën shqetësime serioze për përdorimin e forcës nga rojet kufitare ndaj azilkërkuesve dhe për sulmet në rritje ndaj gazetarëve, raporton Portalb.mk.
Ekspertët e OKB-së konfirmuan përpjekjet pozitive për forcimin e sundimit të ligjit dhe harmonizimin e ligjeve kundër diskriminimit me direktivat e Bashkimit Evropian. Delegacioni maqedonas raportoi se Komisioni Kombëtar për Monitorimin e Diskriminimit është forcuar dhe ka ndihmuar në krijimin e politikave gjithëpërfshirëse për ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Maqedonia e Veriut është e përkushtuar për të zbatuar rekomandimet e Komitetit, të cilat janë pjesë integrale e prioriteteve strategjike për reformimin e sistemit ligjor dhe forcimin e demokracisë”, deklaroi Nikolla Prokopenko, këshilltar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë dhe kryetar i delegacionit të vendit.
Delegacionit të Maqedonisë iu kërkua të shpjegojë se si ka vepruar shteti për të hetuar rastet e raportuara të përdorimit të tepruar të forcës nga rojet kufitare kundër migrantëve dhe azilkërkuesve.
Përfaqësuesit e shtetit njoftuan se në periudhën 2022–2024 nuk janë regjistruar raste të tilla, dhe se brenda shërbimit policor ekzistojnë mekanizma të brendshëm për hetimin e pretendimeve për dhunë dhe torturë. Kur janë gjetur prova, janë iniciuar procedura penale dhe janë marrë masa disiplinore.
Një tjetër temë kryesore ishte rritja e sulmeve ndaj gazetarëve, për të cilat Komiteti kërkoi më shumë transparencë dhe masa parandaluese.
Delegacioni informoi se ndryshimet e fundit në Kodin Penal lejojnë ndjekje penale ex officio për sulmet ndaj gazetarëve, ndërsa në vitin 2024 janë regjistruar katër raste të tilla, të gjitha të ndjekura penalisht.
“Shteti po punon për të rritur dukshmërinë e krimeve kundër gazetarëve dhe për të ashpërsuar dënimet”, thuhet në deklaratën e delegacionit.
Në fjalën përmbyllëse, Changrok Soh, kryetar i Komitetit të OKB-së, përgëzoi Maqedoninë e Veriut për përparimin në ratifikimin e traktateve ndërkombëtare dhe politikat e barazisë gjinore, por paralajmëroi se shqetësime mbeten lidhur me gjuhën e urrejtjes, kushtet në burgje dhe mbrojtjen e pamjaftueshme të azilkërkuesve.
“Rekomandimet tona duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë, të bazuar në të drejtat e njeriut”, theksoi Soh.
Ky diskutim në OKB vjen në një moment të ndjeshëm për Maqedoninë e Veriut, e cila ka rënë me 6 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit 2025 të Reporterëve pa Kufij (RSF), nga vendi i 36-të në të 42-tin. Vendi tani ndodhet në fund të grupit të shteteve ku situata e shtypit është “e kënaqshme”.
Në këtë grup, nga rajoni janë vetëm Sllovenia (vendi i 33-të) dhe Mali i Zi (vendi i 37-të), ndërsa të gjitha vendet e tjera ballkanike klasifikohen në nivele “problematike” ose “të vështira”.
Sesioni i 144-të i Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së po mbahet në Gjenevë nga 23 qershori deri më 17 korrik 2025. Delegacioni maqedonas përfshinte përfaqësues të shumë ministrive dhe agjencive shtetërore, përfshirë Misionin e Përhershëm të RMV-së në OKB. Flaka
















