Flaka analizon: Ligji i ri për lojërat e fatit online – Mosrealizimi i premtimeve dhe mungesa e mbrojtjes për të miturit

Flaka
Botuar nga Flaka 5 Korrik, 2025 13:43 Përditësuar

Flaka analizon: Ligji i ri për lojërat e fatit online – Mosrealizimi i premtimeve dhe mungesa e mbrojtjes për të miturit

Gjatë fushatës zgjedhore, përfaqësuesit e koalicionit VLEN premtuan qartësisht mbylljen e lojërave të fatit online, si dhe largimin e kazinove dhe bastoreve fizike në distancë minimale prej 500 metrash nga shkollat dhe objektet fetare, për të mbrojtur të rinjtë dhe komunitetin nga ndikimet e dëmshme sociale, shkruan Flaka.

Megjithatë, projektligji aktual, që është dorëzuar për shqyrtim në Ministrinë e Financave nuk e përmbush këtë premtim elektoral. Përkundrazi, ai:

  • Formalizon dhe legalizon lojërat e fatit në internet, duke vendosur një sistem të licencimit të centralizuar dhe tarifa të larta për hyrje në treg,
  • Nuk përmban asnjë dispozitë për ndalimin ose dislokimin e bastoreve dhe kazinove pranë shkollave, xhamive, kishave apo institucioneve të ndjeshme sociale,
  • Nuk garanton mbrojtje efektive për të miturit, të cilët vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj reklamave, ndikimeve dhe rreziqeve të varësisë.

Kjo situatë përbën jo vetëm një ndryshim të dukshëm të qëndrimit politik, por edhe një kthim pas krahasuar me përpjekjen ligjvënëse të mandatin të kaluar, kur Qeveria e mëparshme dhe BDI propozuan një ligj që:

  • Parashikonte zhvendosjen e detyrueshme të bastoreve dhe kazinove të paktën 500 metra larg shkollave dhe objekteve fetare,
  • Ashpërsonte kriteret e licencimit dhe rriste barrën fiskale për operatorët e lojërave të fatit.

Edhe pse atëherë ligji u kthye nga Presidenti Pendarovski dhe kërkoi rivotim, deputetët e tanishëm të VLEN-it nuk votuan pro ligjit, duke kontribuar drejtpërdrejt në pengimin e miratimit të tij, dhe në vazhdimin e funksionimit të rrjetit ekzistues të kazinove dhe bastoreve.

Në këtë kontekst politik dhe shoqëror, projektligji i ri për lojërat e fatit online meriton një shqyrtim të thelluar dhe kritik, jo vetëm për përmbajtjen teknike dhe ekonomike, por edhe për mospërputhjen me zotimet publike, interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe standartet moderne të mbrojtjes sociale.

Analiza e mëposhtme synon të ndriçojë këto aspekte përmes një vlerësimi të qartë të përfitimeve, mangësive dhe rreziqeve që ky draft paraqet për të ardhmen e këtij sektori në Maqedoninë e Veriut.

Ky dokument synon të krijojë një kornizë të re ligjore për funksionimin e platformave digjitale të basteve në territorin e RMV-së. Në vijim, paraqesim një analizë kritike të pikave më të rëndësishme të këtij projektligji.

Centralizimi dhe kontrolli shtetëror – përfitim apo pengesë?

Projektligji parashikon një regjim të centralizuar licencimi dhe mbikëqyrjeje, ku Ministria e Financave, me konsultim nga Ministria për Transformimin Digjital, jep licencat për organizatorët online. Kjo strukturë:

Rrit kapacitetin mbikëqyrës shtetëror dhe zvogëlon informalitetin, por rrezikon politizimin e procesit, me mundësi për favorizim të operatorëve të afërt me qeverinë, për shkak të mungesës së kritereve objektive, transparente dhe të ankimueshme.

Në kornizat aktuale te propozim ligjit, është e nevojshme që të përfshihen mekanizma për konkurs publik me kritere të qarta teknike dhe financiare, si dhe një organ i pavarur për rishikimin e vendimeve administrative.

Tarifat e larta – barrierë për operatorët lokalë dhe startup-et

Projektligji vendos një tarifë fillestare prej 200,000 euro, një garanci shtesë prej 150,000 euro dhe një tatim minimal mujor prej 10,000 euro për mbajtësit e licencës.

Ky strukturim tarifor krijon një mjedis monopolistik, duke përjashtuar operatorët e vegjël ose startup-et vendore dhe duke favorizuar kompani të mëdha të kapitalit.

Analiza Flaka rekomandon që të shqyrtohet modeli i një sistemi të shkallëzuar tarifor, bazuar në të ardhurat ose qarkullimin, për të mundësuar konkurrencë dhe inovacion lokal.

Kontrolli financiar dhe teknologjik – balancë mes sigurisë dhe aksesit në treg

Projektligji kërkon: Pajisje IT të vendosura në territorin e RMV-së, transaksione përmes bankave vendore, si dhe lidhje në kohë reale me Zyrën e të Ardhurave Publike.

Këto masa rrisin transparencën fiskale dhe kufizojnë pastrimin e parave, por mund të pengojnë operatorët ndërkombëtarë që operojnë përmes platformave cloud dhe qendrave të të dhënave jashtë vendit.

Andaj, Flaka remomadon që të lejohet përdorimi i teknologjive të standardizuara ndërkombëtare nën certifikim të pavarur ISO/TIA, me inspektim të verifikueshëm për përputhshmëri.

Mungesa e mbrojtjes efektive për të miturit dhe të varurit

Edhe pse projektligji përmend kufizime për pjesëmarrje dhe mundësinë e vetëpërjashtimit, mungojnë dispozita të forta detyruese për verifikimin efektiv të moshës, krijimin e një regjistri për të përjashtuar personat me varësi të verifikuar, si dhe aksesin e lehtë në ndihmë psikosociale.

Në një vend me probleme në rritje nga varësia ndaj basteve, kjo përbën një cenim serioz të shëndetit publik, andaj Flaka rekomandon që të përfshihet bashkëpunimi me institucione shëndetësore dhe sociale, vendosja automatike e limiteve për përdorues të rinj, dhe sisteme monitorimi inteligjent për sjellje të rrezikshme.

Transparenca dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale

Projektligji nuk parashikon mekanizma ankimorë të pavarur, nuk përcakton një afat maksimal për shqyrtimin e aplikimeve për licencë, dhe lejon revokimin arbitrar të licencës pa garanci të rishikimit të drejtë. Kjo përbën një cenim të sigurisë juridike për investitorët dhe rrit rrezikun e keqpërdorimit të pushtetit administrativ.

Prandaj, Flaka rekomandon që të krijohet një komision i pavarur për licencat, me procedurë ankimore administrative dhe gjyqësore të përcaktuar qartë.

Mbrojtja e të dhënave personale dhe financiare

Projektligji kërkon regjistrim me të dhëna personale dhe bankare, ruajtje të informacionit për çdo pjesëmarrës, si dhe krijim të marrëveshjeve elektronike për pjesëmarrje, por mungon një rregullim i saktë për afatin e ruajtjes së të dhënave, të drejtat e përdoruesit për fshirje ose transferim, si dhe ndalimi i ndarjes së të dhënave me palë të treta.

Andaj, Flaka rekomandon që të harmonizohet me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe me GDPR-in evropian, duke përfshirë auditim të sigurisë digjitale.

Reklamimi dhe etiketa e faqes së internetit

Projektligji ndalon reklamat që promovojnë lojërat e fatit si sukses, por nuk kufizon në mënyrë të qartë reklamat në rrjetet sociale, përdorimin e influencer-ëve ose targetimin e të miturve përmes algoritmeve.

Nisur nga ky fakt, Flaka rekomandon që të ndalohen platformat sociale për reklama të drejtuara tek të miturit dhe të krijohet një regjistër publik për reklamat e aprovuara, në përputhje me kodet etike ndërkombëtare.

Pagesat dhe mbrojtja financiare e konsumatorit

Projektligji parasheh që fondet e përdoruesve të mbahen në llogari të ndara, por nuk ka asnjë mekanizëm garancie në rast falimentimi të operatorit, siç ndodh në disa juridiksione të BE-së. Prandaj, Flaka rekomandon që të kërkohet një fond sigurie apo sigurim bankar, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ndërprerjet teknike dhe rimbursimet

Projektligji kërkon që, në rast të ndërprerjes së lojës për arsye të pavarura nga përdoruesi, të kryhet kompensim ose vazhdim i lojës. Por nuk përcakton mekanizma të qartë verifikimi për të ndarë rastet teknike reale nga ato të krijuara nga operatorët. Rekomandohet të përfshihet një strukturë e certifikuar teknike e palës së tretë për të hetuar rastet e ndërprerjes.

Rrugëtim drejt formalizimit apo monopolizimit?

Projektligji për lojërat e fatit online në RMV shënon një përpjekje për formalizimin e tregut digjital të basteve, me masa që synojnë rritjen e transparencës fiskale, kontrollit shtetëror dhe parandalimit të evazionit.

Por në formën aktuale, ai përjashton operatorët e vegjël dhe inovativë, le hapësirë për interpretim të gjerë dhe selektiv, dhe munpon një mbrojtje reale e përdoruesve të cenueshëm.

Për të përsosur sadokap drafti i përgatitur, nevojitet përfshirje e mekanizmave për mbrojtjen e të miturve dhe të varurve, garanci për proces transparent dhe të drejtë licencimi, mbikëqyrje të pavarur dhe teknologji të auditueshme, nxitje për konkurrencë dhe qasje të barabartë në treg, si dhe harmonizim me direktivat evropiane për të dhënat dhe etikën. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 5 Korrik, 2025 13:43 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.