Pas 10 minutash do të shpërthejë bomba – Mesazhi që tronditi Parlamentin e Kosovës
Një kërcënim serioz për vendosje të bombës ka alarmuar sot institucionet e Republikës së Kosovës. Pak minuta para nisjes së seancës së 42-të konstitutive të Kuvendit, në sekretarinë e ish-kryetarit Glauk Konjufca ka mbërritur një mesazh në anglisht: “Pas 10 minutash do të shpërthejë bomba”.
Sipas informacioneve zyrtare, Policia e Kosovës ka urdhëruar menjëherë evakuimin e të gjithëve nga godina e Kuvendit. Deputetë, punonjës administrativë dhe gazetarë janë larguar në mënyrë të qetë, ndërsa Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është larguar i shoqëruar nga forca të shumta të sigurisë, si një nga të fundit që ka lënë ambientet e Kuvendit. Ai nuk ka dhënë deklaratë për media.
Ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka konfirmuar se mesazhi i kërcënimit ishte serioz dhe se autoritetet kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme.
Ndërkohë, disa deputetë të opozitës kanë hedhur dyshime mbi natyrën e kërcënimit, duke lënë të kuptohet se mund të bëhet fjalë për një alarm të rremë apo për skenar të inskenuar nga persona të caktuar. Megjithatë, nuk ka asnjë informacion zyrtar që të mbështesë këto pretendime.
Policia e Kosovës është ende duke zhvilluar kontrolle të detajuara në ambientet e Kuvendit dhe deri më tani nuk është gjetur asnjë pajisje e dyshimtë apo eksploziv.
Seanca konstitutive e Kuvendit, e ndërprerë për shkak të kërcënimit, pritet të vazhdojë në ora 20:00.
Sipas juristëve dhe analistëve politikë, moskonstituimi i Kuvendit deri më 26 korrik mund të sjellë pasoja jo vetëm administrative, por edhe juridike për deputetët e zgjedhur.
Flaka do të vijojë të ndjekë zhvillimet në vijim.
















