“Ku është Sllovenia, dhe çfarë ndodhi me Maqedoninë?” – Kritika për ngecjen në BE
Gjatë një debati në Parlamentin Evropian mbi raportin për Maqedoninë e Veriut për vitin 2023 dhe 2024, eurodeputeti austriak Tomas Vajc theksoi se vendi, megjithëse ka zbatuar pjesën më të madhe të legjislacionit evropian dhe ka qëndruar krah Bashkimit Evropian në sfida të rëndësishme, ende nuk ka nisur zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE.
“Maqedonia, një vend që i mbijetoi luftërave ballkanike pa dhunë masive dhe ku bashkëjetojnë komunitete të ndryshme etnike dhe fetare, dikur ishte lidere në rajon. Para 20 vjetësh e nisi procesin e integrimit evropian së bashku me Slloveninë,” kujtoi Vajc. “Por sot, ku është Sllovenia dhe çfarë ndodhi me Maqedoninë e Veriut?”
Pengesa historike, por partneritet i qëndrueshëm
Sipas eurodeputetit austriak, pengesat historike dhe marrëdhëniet e ndërlikuara dypalëshe kanë penguar rrugën e integrimit të Maqedonisë së Veriut. “Këto pengesa kanë të bëjnë me historinë, me konfliktet e shekullit të kaluar dhe me sfidat në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët. Por marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë nuk mund të ndërtohen vetëm nga njëra palë – është një proces që kërkon përkushtim nga të dyja anët,” tha ai.
Vajc vuri në dukje se Maqedonia e Veriut është një partner i besueshëm i BE-së: “Ata ndajnë politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë njëqind për qind, janë anëtarë të NATO-s dhe kanë kontribuar në përpjekjet e përbashkëta evropiane. Ky është një vend që ka bërë shumë dhe meriton më shumë.”
Thirrje për përshpejtim të procesit të pranimit
Në përfundim të fjalës së tij, Vajc u bëri thirrje institucioneve evropiane që të rishikojnë me serioz qëndrimin e tyre ndaj Maqedonisë së Veriut. “Në kohë kur Bashkimi Evropian përballet me sfida të mëdha globale, uniteti dhe zgjerimi me partnerë të qëndrueshëm si Maqedonia e Veriut duhet të jenë prioritet. Është koha të përshpejtohet procesi i pranimit,” deklaroi ai.
















