Ahmeti e Taravari me porosi të qarta për VLEN-in: Tradhtia dhe robëria nuk shiten si partneritet
Dy nga figurat kryesore të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti dhe Arben Taravari, kanë dërguar porosi të drejtpërdrejta dhe të forta në adresë të liderëve të VLEN-it, tashmë pjesë e pushtetit qendror.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka hedhur akuza të rënda duke përmendur një histori të përsëritur të dështimeve kombëtare nga individë që, sipas tij, kanë ndjekur interesat personale në vend të atyre kombëtare:
“Për fat të keq, në historinë e shqiptarëve ka pasur njerëz që nuk e kanë mbrojtur interesin kombëtar, por kanë parë vetëm interesat e tyre personale. Ne disa herë u jemi drejtuar të LEN-it, që më nuk është VLEN, që të braktisin këto institucione të cilat në programin e tyre kanë pasur poshtërimin e shqiptarëve, tjetërsimin e shqiptarëve, rrënimin e gozhdimit të arkivolit përfundimtar të Marrëveshjes së Ohrit,” – ka deklaruar Ahmeti.
Ndërkohë, Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët ka folur me tone të ashpra për atë që e quan një “partneritet të rremë” mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së:
“Partneriteti pa barazi është robëri e maskuar me shtrëngime duarsh e buzëqeshje të ngrira. S’bëhet se nuk vlen!” – ka thënë prerazi Taravari.
Të dyja deklaratat janë bërë në një kohë kur debati mbi përfaqësimin real të shqiptarëve në qeverinë aktuale po intensifikohet. Kjo goditje e dyfishtë nga opozita shihet si një mesazh i qartë ndaj VLEN-it: bashkëqeverisja pa barazi, përfaqësim dhe integritet kombëtar është e papranueshme dhe e dëmshme për interesin kolektiv shqiptar. Flaka
















