Ali Ahmeti pret Arben Çejkun: Kujtime për sfidat e së kaluarës dhe thirrje për unitet shqiptar
Sot, në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, kreu i BDI-së Ali Ahmeti priti në takim ish-Ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku, përcjell Flaka
Në një deklaratë publike, Ahmeti tha:
“Sot kisha kënaqësinë të pres në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim, ish-Ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Arben Çejku.”
Takimi u karakterizua nga kujtimet për bashkëpunimin gjatë kohëve të vështira, kur, sipas Ahmetit, “sfidat ishin të mëdha, por po aq edhe përkushtimi për të ndërtuar ura lidhjeje mes institucioneve dhe vëllezërve tanë matanë kufirit.”
Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në rajon, duke theksuar rolin e shqiptarëve si faktor stabiliteti dhe kontribuues të integrimit euroatlantik.
“Diskutuam për zhvillimet aktuale politike në rajon, rolin kyç që shqiptarët kanë luajtur dhe duhet të vazhdojnë të luajnë për stabilitetin, paqen dhe integrimin euroatlantik të vendit tonë,” – u shpreh Ahmeti.
Ai shtoi se nuk mund të harrohen momentet kur “zëri i Tiranës dhe ai i përfaqësuesve politik shqiptarë në Shkup kanë rezonuar në një frymë të përbashkët, në avancimin e të drejtave kolektive dhe të barazisë.”
Ahmeti e falënderoi Ambasadorin Çejku për, siç tha, “kontributin e tij të çmuar diplomatik dhe për vizionin e qartë që gjithnjë ka shprehur për një rajon më të bashkuar dhe më të drejtë për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.” Flaka
















