Redaksia Flaka dënon ashpër sulmin ndaj ekipit të ALSAT-M – Liria e medias është e paprekshme
Agjencia e lajmeve Flaka dënon me indinjatë të thellë dhe ashpërsisht sulmin fizik që ndodhi sot ndaj ekipit gazetaresk të televizionit ALSAT-M, i cili po kryente detyrën e tij profesionale duke raportuar për zjarrin e madh në deponinë ilegale në Vizbeg të Shkupit.
Kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj lirisë së fjalës, të drejtës për informim dhe vlerave demokratike që duhet të mbrohen në çdo shoqëri që aspiron integrim evropian dhe drejtësi shoqërore.
Gazetarët janë në shërbim të publikut, shpesh duke rrezikuar sigurinë e tyre për të sjellë fakte dhe të vërtetën. Çdo përpjekje për t’i frikësuar apo penguar në misionin e tyre është e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga autoritetet kompetente.
Flaka shpreh solidaritet të plotë me kolegët e ALSAT-M dhe u bën thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë që të identifikojnë dhe ndëshkojnë autorët e sulmit, duke garantuar se rastet e tilla nuk do të përsëriten.
Në një kohë kur dezinformimi, dhuna dhe presioni ndaj mediave janë në rritje, mbrojtja e gazetarëve të lirë dhe të pavarur është më e nevojshme se kurrë më parë.
Redaksia Flaka – Për një media të lirë, të sigurt dhe në shërbim të qytetarëve.
















