VLEN: Shqiptarët nuk janë monedhë pazari – po luftojmë për barazi, jo për kolltuqe
Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj keqpërdorimeve në institucionet shtetërore nga funksionarë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke akuzuar këtë subjekt për kapje të shtetit dhe nepotizëm sistematik. Në një deklaratë publike, VLEN thekson se lufta e saj politike nuk është për pushtet, por për të drejta, barazi dhe ndërtimin e një shteti funksional ku merita vlen më shumë se mbiemri.
“Shqiptarët nuk janë monedhë pazari. Ata nuk janë mall privat për pasurimin e politikanëve të BDI-së,” thuhet në deklaratën e VLEN-it. “Ne nuk po luftojmë për kolltuqe, por për një rend të ri institucional ku përfaqësimi është i drejtë dhe i ndershëm, jo statistikor dhe fiktiv.”
Sipas VLEN-it, praktikat e fundit të emërimeve në institucione si Agjencia për Komunikime Elektronike, M-NAV dhe të tjera, janë dëshmi se “BDI e ka kthyer shërbimin publik në pronë familjare”.
“Kur funksionarë të BDI-së, duke keqpërdorur funksionin shtetëror, siguruan vendin më të paguar të punës për familjarët e tyre, bëhet e qartë pse frikësohen nga rendi dhe kontrolli,” thekson më tej deklarata.
VLEN shpreh bindjen se shqiptarët meritojnë institucione që ndërtohen mbi dije, drejtësi dhe transparencë, jo mbi lidhje fisnore dhe pazare politike. “Ne duam një shtet ku çdo konkurs është i hapur dhe i verifikueshëm, ku suksesi matet me dije, jo me mbiemër. Kjo nuk është vetëm një çështje ligjore – është një detyrim moral ndaj brezave të rinj që duan të ndërtojnë jetën këtu, jo të ikin jashtë.”
Koalicioni opozitar thekson se rasti i fundit me emërimet nepotiste nuk është përjashtim, por “pasqyrë e një sistemi të kalbur, ku diploma ka më pak vlerë se lidhjet personale”.
“BDI-ja nuk frikësohet nga VLEN – ajo frikësohet nga rendi dhe drejtësia që ne përfaqësojmë,” përfundon deklarata.
VLEN e mbyll qëndrimin e saj me një premtim politik:
“Do të luftojmë për një shtet ku vendet e punës u takojnë më të mirëve, jo më të afërmve. Kjo nuk është një betejë për sot, por një borxh ndaj të rinjve që duan të ndërtojnë të ardhmen këtu.” Flaka
















