VLEN lëvdrohet – ASh denoncon: Shqipja e përjashtuar edhe nga tabelat e Korridorit 8
Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka reaguar ashpër ndaj përjashtimit të gjuhës shqipe nga tabelat rrugore në segmentin e sapoinauguruar Preseka–Pesoçan, pjesë e autostradës Kërçovë–Ohër, pjesë integrale e Korridorit 8.
Në një komunikatë për media, ASh e cilëson mungesën e shqipes në mbishkrimet zyrtare si “skandal institucional” dhe “akt flagrant diskriminimi”, që sipas tyre dëshmon për mënyrën e prapambetur me të cilën trajtohet gjuha shqipe në projektet shtetërore, edhe në zona të banuara nga shqiptarët.
“Përfaqësuesit e grupimit FLEN, të pranishëm në inaugurim, nuk dhanë asnjë reagim ndaj këtij skandali. Përkundrazi, u panë të garonin pas gërshërëve ceremonialë, për të dalë në fotografi me shiritin e kuq në dorë, sikur të ishin protagonistë të një projekti që është konceptuar dhe nisur gati dy dekada më parë,” thuhet në reagim.
ASh akuzon përfaqësuesit e VLEN për heshtje ndaj diskriminimit dhe për sjellje “servile” që, sipas tyre, shërben për të legjitimuar përjashtimin sistematik të gjuhës shqipe nga hapësira publike. Ata shtojnë se ky nuk është rast i izoluar, por pjesë e një trendi të rrezikshëm.
“FLEN, i pavlerë dhe pa zë në qeveri, vazhdon të përvetësojë projekte të huaja dhe të heshtë para degradimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve, siç është edhe rasti i fundit me fshirjen e shqipes nga tabelat rrugore,” vijon më tej deklarata.
Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se do ta ngrejë çështjen e përdorimit të shqipes në çdo nivel institucional dhe kërkon që diskriminimi gjuhësor të mos normalizohet nën petkun e integrimeve apo reformave.
“Tabelat rrugore janë vetëm një simbol – por pas tyre fshihet një realitet i hidhur: çdo ditë, shqiptarët po nëpërkëmben me pëlqimin e atyre që janë në pushtet vetëm për të bërë foto,” përfundon deklarata. Flaka














