Përplasja për bixhozin: BDI akuzon VLEN-in për mega mashtrim
Në një kumtesë për media, BDI ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj koalicionit VLEN, duke e akuzuar se ka tradhtuar çdo premtim të dhënë për mbylljen e kazinove dhe bastoreve, ,transemton Flaka
“E përsërisim edhe një herë: çdo premtim i VLEN është një mega mashtrim!” – thuhet në deklaratë.
“Për një vit e gjysmë shtuan kazinot dhe bastoret, dhe tani me ligj, VLEN edhe zyrtarisht u bë kumbar i bixhozit.”
Sipas BDI-së, ligji i miratuar nuk parashikon asnjë mbyllje reale, por legalizon dhe fuqizon më tej industrinë e lojërave të fatit:
“Anëtarët e VLEN janë pronarë të kazinove dhe bastoreve dhe janë sponsorë të ligjit që mbron dhe legalizon industrinë e tyre.
Asnjë kazino nuk mbyllet, asnjë bastore nuk mbyllet, bixhozi në internet po lulëzon në kohën e vazalëve nga VLEN.”
BDI kritikon edhe refuzimin nga ana e VLEN dhe VMRO-së të një projektligji të mëparshëm për mbyllje tërësore, të propozuar nga Fronti Europian:
“Ligjin që e propozoi Fronti Europian për mbyllje të tërësishme të lojërave të fatit, VLEN dhe VMRO e refuzuan.
Sot miratuan një ligj edhe më të dobët sesa ai që vetë e bllokonin më parë – në shërbim të padronëve të tyre nga bixhozi.”
VLEN: Po çmontojmë perandorinë që BDI ndërtoi mbi mjerimin e njerëzve
Nga ana tjetër, VLEN mbron fuqishëm projektligjin e miratuar, duke e cilësuar si “ofensivën më vendimtare kundër karteleve të lojërave të fatit”.
“Mbi 7,000 aparate VLT zbrazën xhepat e qytetarëve tanë, ndërsa qeveria e mëparshme betohej për zhvillim. Ne po e thyejmë atë rreth vicioz: 4,000 aparate do të hiqen, duke e zvogëluar infrastrukturën me të paktën 70%.”
VLEN thekson se për herë të parë po krijohen zona mbrojtëse prej 500 metrash nga shkollat, ndalohen reklamat, kufizohen licencat, dhe bëhet luftë e vërtetë edhe ndaj bixhozit online, ku mbi 200 faqe ilegale janë bllokuar.
“Po krijojmë një shoqëri të mbrojtur nga agresiviteti i bixhozit. Kjo është luftë për fëmijët tanë dhe për të ardhmen që ua kemi borxh.”
VLEN e akuzon BDI-në për hipokrizi dhe përgjegjësi historike:
“Kemi filluar të çmontojmë perandorinë e lojërave të fatit që BDI ndërtoi mbi mjerimin e njerëzve. Ky është fillimi i një epoke të re.”
ASH: Projektligji nuk ndalon, por riorganizon industrinë e bixhozit nën kontroll politik
Për Aleancën për Shqiptarët, ligji i miratuar nga VLEN dhe VMRO-DPMNE është një mashtrim i rrezikshëm, që në realitet nuk parashikon mbyllje të vërtetë, por kapje dhe monopolizim shtetëror të bixhozit.
“Mexhiti nuk është armiku i bixhozit, por garantuesi i tij. Në vend të reformës, kemi riciklim të figurave që prej vitesh bashkëpunojnë me oligarkë.”
ASH përmend rastin e Lotarisë Shtetërore, ku emërimi i Ahmet Miftarit si zëvendësdrejtor, sipas tyre, tregon kapjen e këtij institucioni nga interesat politike të Mexhitit.
Po ashtu, denoncohet heshtja e Ministrit të Ekologjisë për shkatërrimin e pyjeve në malin Kozhuf nga kompani të lidhura me industrinë e bastoreve:
“Kjo heshtje nuk është pasivitet – është kompromis.”
ASH godet fort edhe nenin 24 të ligjit të ri, duke theksuar:
“Bastoret janë përjashtuar nga ndalesat për afërsinë me shkollat. Ligji nuk mbron të rinjtë, por u jep rrugë të lirë bixhozit pranë institucioneve arsimore.”
Në përmbyllje, ASH kërkon:
“Mbyllje reale, të pakushtëzuar dhe pa përjashtim të çdo pike bixhozi pranë shkollave dhe lagjeve të banuara. Lufta kundër bixhozit nuk bëhet me deklarata Facebook-u, por me vullnet të sinqertë politik.”
Nga lufta e premtuar te “legalizimi i rregulluar”?
Me miratimin e projektligjit të ri, polemikat politike rreth bixhozit po thellohen, ndërsa akuzat për hipokrizi, kapje të institucioneve dhe lidhje me oligarkët po bëhen pjesë e retorikës ditore mes partive shqiptare në pushtet dhe opozitë.
Ndërsa VLEN pretendon se po zhvillon një luftë të pandalshme ndaj karteleve të bixhozit, BDI dhe ASH paralajmërojnë se ligji i ri nuk mbyll asgjë – përkundrazi, e bën industrinë më të fuqishme dhe më të mbrojtur politikisht. Flaka














