Bixhozi dhe politika: Qëndrimet e BDI-së, VLEN-it dhe ASH-së në betejën për (mos)mbylljen e kazinove
Industria e lojërave të fatit – kazinot, bastoret dhe bixhozi online – ka hyrë sërish në qendër të debatit politik në Maqedoninë e Veriut. Tre subjektet kryesore politike shqiptare, BDI, VLEN dhe Aleanca për Shqiptarët, kanë ofruar qëndrime të kundërta përballë një teme që prek thellë interesin publik, mirëqenien sociale dhe besimin në institucione, shkruan Flaka
BDI: Nga kontrolli institucional në retorikë opozitare
Partia në pushtet për më shumë se një dekadë, BDI, që dikur ushtronte ndikim të drejtpërdrejtë mbi emërimet në Lotarinë Shtetërore dhe licencat e bixhozit, tani, në opozitë, e paraqet veten si forca që ka propozuar mbyllje tërësore të lojërave të fatit.
Në reagimin e saj pas miratimit të projektligjit të ri nga Qeveria aktuale, BDI thekson:
“Çdo premtim i VLEN është një mega mashtrim! Edhe mashtrimi i madh që do t’i mbyllin kazinot dhe bastoret doli në sipërfaqe. Tani, me ligj, VLEN edhe zyrtarisht u bë kumbar i bixhozit.”
BDI shkon më tej duke akuzuar eksponentë të VLEN-it si pronarë apo të lidhur me industrinë, dhe pretendon se:
“Asnjë kazino nuk mbyllet, asnjë bastore nuk mbyllet, bixhozi në internet po lulëzon në kohën e vazalëve nga VLEN.”
Sipas BDI-së, projektligji që ata propozuan më herët, në kuadër të Frontit Europian, parashikonte mbyllje tërësore të industrisë, por u refuzua nga shumica aktuale parlamentare:
“VLEN dhe VMRO e refuzuan ligjin tonë. Sot miratuan një version edhe më të dobët – në shërbim të padronëve të tyre nga bixhozi.”
Analiza: Qëndrimi i BDI-së në opozitë duket më moralist, por bie ndesh me historikun e saj në pushtet, ku nën drejtimin e BDI-së, sidomos në Komunën e Çairit dhe Ministrinë e Financave, u dhanë qindra licenca për bastore dhe kazino. Kjo bën që kritika e tyre të shihet me dyshim nga publiku.
Aleanca për Shqiptarët: Më shumë kontroll, më pak sinqeritet
ASH, në opozitë ndaj të dyja palëve, ka dalë me kritikën më të ashpër dhe më të detajuar kundër ligjit të miratuar dhe ndaj vetë arkitektit të tij, Ministrit të Ekologjisë Izet Mexhiti.
ASH e quan projektligjin:
“Një përpjekje për legalizimin dhe monopolin shtetëror të bixhozit nën kontrollin e strukturave të kapura politike.”
ASH veçon si problematik nenin 24, i cili – sipas tyre – nuk ndalon bastoret pranë shkollave, por vetëm përdorimin e pajisjeve elektronike brenda tyre:
“Ky është një ligj që nuk synon mbylljen, por riorganizimin dhe zgjatjen e jetës së industrisë së bixhozit.”
Ata denoncojnë edhe emërimet politike në Lotarinë Shtetërore dhe lidhjet me oligarkë:
“Mexhiti e ka kthyer Lotarinë Shtetërore në një vegël klienteliste. Në vend të mbrojtjes së qytetarëve, ai garanton interesat e industrisë.”
ASH kërkon:
- Mbyllje të pakushtëzuar të kazinove dhe bastoreve pranë shkollave dhe zonave të banuara;
- Kontroll real dhe të pavarur publik mbi licencat dhe distancat;
- Hetim të pasurisë dhe lidhjeve të zyrtarëve me industrinë e bixhozit.
“Lufta kundër bixhozit nuk bëhet me statuse Facebook-u dhe fasada ligjore, por me vullnet të sinqertë politik.”
Analiza: ASH duket se përfiton më së shumti politikisht nga ky debat, duke kanalizuar zhgënjimin publik dhe duke ekspozuar mangësitë dhe kontradiktat e dy palëve të tjera. Sidoqoftë, sfida për këtë forcë qëndron në ofrimin e një alternative konkrete ligjore dhe institucionale që bind edhe përtej retorikës.
VLEN: Reforma ligjore për “çmontimin e perandorisë së bixhozit”
Koalicioni qeverisës VLEN, në bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në, ka mbrojtur me vendosmëri projektligjin për lojërat e fatit si një ofensivë kundër industrisë së bixhozit, e cila – sipas tyre – u shndërrua në një kancer social gjatë qeverisjes së BDI-së.
Në deklaratën e tyre, ata theksojnë:
“Kemi trashëguar një shoqëri ku çdo cep ishte i shënuar nga vitrinat ndriçuese të kazinove dhe bastoreve. Po e thyejmë atë rreth vicioz.”
VLEN pretendon se me këtë ligj:
- Reduktohet infrastruktura e bixhozit me 70%;
- Hiqen 4,000 aparate të lojërave të fatit;
- Ndalohet reklama e bixhozit;
- Vendoset distancë 500 metra nga shkollat për kazinot dhe automatet;
- Rriten tarifat dhe përgjegjësitë penale për shkelësit;
- Blokohen mbi 200 faqe bixhozi online.
“Po zhvillojmë këtë luftë për familjet tona dhe të ardhmen që ua kemi borxh. Ky është fillimi i një epoke të re.”
Analiza: VLEN paraqitet si forca që po e “pastron terrenin” nga bixhozi, por në praktikë, ligji i miratuar nuk parashikon mbyllje totale, por ristrukturim, centralizim dhe kontroll më të fortë shtetëror. Kritikat ndaj tyre lidhen me mungesën e ndalimit për bastoret pranë shkollave dhe me pretendimet për konflikt interesi brenda radhëve të tyre.
Luftë për moral apo për kontroll?
Industria e bixhozit në Maqedoninë e Veriut nuk është vetëm problem ekonomik apo social – është një çështje pushteti.
- BDI e sulmon atë që vetë e ndërtoi për vite të tëra;
- VLEN pretendon ta reformojë, por jo ta mbyllë;
- ASH kërkon mbyllje pa kompromis dhe ekspozon konfliktet e interesit të palëve.
Nëse qytetarët kanë nevojë për mbrojtje nga pasojat shkatërruese të bixhozit, atëherë retorika politike duhet të pasohet me veprime të matshme, transparente dhe pa kompromis. Në të kundërtën, çdo ligj do të jetë vetëm një riformulim i modelit të vjetër, në duar të reja. Flaka
















