Mickoski: Nuk hyjmë në BE me çdo kusht – kemi dhënë mjaft, tani mjafton
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në emisionin “Vetëm Intervistë” në Televizionin Kanal 5, komentoi pengesat që Bullgaria po i vendos vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se shteti nuk do të pranojë anëtarësim me kushte që cenojnë identitetin.
“Të gjithë jemi për në BE dhe të gjithë duam të jemi pjesë e BE-së, por jo me çdo kusht. Sepse, po të ishte kjo gjëja e parë, nuk do të kishte asnjë problem dhe do të uleshim dhe do të bisedonim,” deklaroi Mickoski.
Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ka bërë sakrifica të mëdha ndër vite për të qenë pjesë e familjes evropiane.
“Ky popull, këta qytetarë dhe ky shtet kanë dhënë shumë, më shumë se kushdo tjetër dhe qytetarët janë të ngopur me një politikë të tillë të stilit tani ose kurrë, dritarja është e hapur, ky është momentumi, e dëgjojmë nga Sollana,” tha ai.
Duke iu referuar kërkesave bullgare, Mickoski theksoi se ato nuk janë të reja dhe se ndryshimet që kanë ndodhur në të kaluarën kanë cenuar thelbësisht identitetin kombëtar.
“Identiteti ynë është ndryshuar – nga flamuri deri te emri. Të gjitha këto janë pjesë e vlerave themelore të një identiteti, atribute që e përkufizojnë atë. Këto atribute janë ndryshuar një nga një, ndërsa tani, kjo nuk do të ndodhë më,” theksoi kryeministri.
Në fund, ai paralajmëroi se vendimet që merren tani do të kenë pasoja për brezat e ardhshëm dhe se historia do të gjykojë çdo akt politik.
“Ajo që po bëjmë tani do të ndikojë të ardhmen dhe atëherë ato gjenerata do të gjykojnë se kush çfarë ka bërë dhe si ka vepruar,” përfundoi Mickoski.
















