Fatmir Ismaili emërohet shef i shtabit zgjedhor të Aleancës për Shqiptarët në Komunën e Butelit
Aleanca për Shqiptarët ka emëruar zyrtarisht Fatmir Ismailin si shef të shtabit zgjedhor në Komunën e Butelit. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i partisë, Arben Taravari, i cili e vlerësoi Ismailin si një njeri me integritet dhe përkushtim të lartë.
“Me krenari ju njoftojmë se z. Fatmir Ismaili është zgjedhur shef i shtabit zgjedhor në Komunën e Butelit. Një njeri i përkushtuar dhe me integritet, i gatshëm të udhëheqë me dinjitet dhe me frymë bashkimi këtë fazë të rëndësishme të fushatës,” shkroi Taravari në një deklaratë publike.
Sipas tij, emërimi i Ismailit është një sinjal i qartë për konsolidimin e strukturave të Aleancës në këtë komunë dhe për ndërtimin e një organizimi gjithëpërfshirës e fitues.
“Zgjedhja e tij është mesazh i qartë se në Butel po ndërtohet një organizim gjithëpërfshirës dhe fitues. Bashkë me ekipin e tij dhe përkrahjen e të gjithë aktivistëve tanë, Buteli do të jetë ndër zonat më krenare dhe më të organizuara të Aleancës,” theksoi kreu i partisë.
Taravari përmbylli njoftimin me një urim për punë të mbarë në këtë detyrë të rëndësishme.
“Urime dhe mbarësi në misionin që na bashkon!”
Aleanca për Shqiptarët po përgatitet intensivisht për zgjedhjet e ardhshme, duke konsoliduar shtabet. Flaka














