Fondi Shëndetësor refuzon punësimin e 155 personave në Spitalin e Tetovës: Nuk ka mjete financiare
Fondi për Sigurim Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka refuzuar zyrtarisht kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e mjeteve financiare për punësimin e 155 personave me kohë të pacaktuar në Spitalin Klinik të Tetovës.

Në dokumentin zyrtar me numër 17-17463/2, datë 14 korrik 2025, Fondi nënvizon se “nuk ka siguruar mjete financiare për realizimin e kësaj kërkese”, duke përcjellë gjithashtu dokumentacionin për veprime të mëtejshme nga institucionet përkatëse.
Përgjigjja e Fondit i referohet kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë të datës 1 korrik 2025 dhe është nënshkruar nga Sasho Klekovski dhe Branko Antigov, të dy në cilësinë e drejtorëve të përkohshëm të institucionit.
Ky vendim i Fondit mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta në kapacitetin funksional dhe cilësinë e shërbimeve të Spitalit Klinik të Tetovës, veçanërisht në mungesë të resurseve humane në kushte të rritjes së kërkesave shëndetësore në rajon.
Refuzimi gjithashtu ngre pikëpyetje mbi strategjinë e Ministrisë së Shëndetësisë për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe planifikimin buxhetor në sektorin publik shëndetësor.
Flaka do të vazhdojë të ndjekë këtë zhvillim dhe të raportojë për hapat e ardhshëm institucionalë në lidhje me këtë çështje.
















