Diskriminimi gjuhësor: Dokumentet flasin — Xhaferi me fakte të 2025-ës, Imeri Stafaj me kujtime nga 2007-a
Një përplasje e ashpër politike ka shpërthyer mes përfaqësuesve të BDI dhe VLEN në Gostivar, pas akuzave për diskriminim gjuhësor ndaj shqiptarëve në fshatin Sërmnovë. Gjithçka nisi me një deklaratë nga Valdet Xhaferi, kryetar i degës së BDI-së në këtë komunë, i cili denoncoi se në këtë fshat, me 100% popullsi shqiptare, qytetarëve po u mohohet gjuha shqipe në dokumentet zyrtare.
“Në fshatin Sërmnovë të komunës së Gostivarit, një vendbanim me 100% popullsi shqiptare, po ndodh një padrejtësi e papranueshme dhe diskriminuese ndaj qytetarëve shqiptarë, veçanërisht ndaj mërgimtarëve që çdo vit kthehen në vendlindje. Konkretisht, dokumentet personale si çertifikatat e lindjes po lëshohen vetëm në gjuhën maqedonase duke përjashtuar krejtësisht gjuhën shqipe,” deklaroi Xhaferi.

Reagimi nuk vonoi. Deputetja e VLEN-it, znj. Saranda Imeri Stafai, i cilësoi deklaratat e Xhaferit si politikë të ulët, duke i kujtuar se edhe gjatë kohës së qeverisjes së BDI-së ndodhnin të njëjtat padrejtësi.

“Valdet, pashë Zotin, mos bëj politikë të ulët se të kam mik. Nëse e ke harruar, kjo është certifikata e vajzës sime, e lëshuar pikërisht gjatë kohës së BDI-së në pushtet. Mos abuzo me pushtetin që për vite të tëra është keqpërdorur për interesa personale dhe partiake,” thuhet në reagimin e saj.
Në një përgjigje të gjatë publike, Xhaferi nuk e kurseu kritikën, duke akuzuar deputetët e VLEN për amnezi selektive dhe për shqiptarizëm të vonuar që nuk qëndron përballë fakteve.
“Ka një fenomen interesant në politikën tonë: disa kujtojnë historinë vetëm nga dita kur u ulën në karrigen e deputetit. Çfarë ka ndodhur para kësaj? Harresë totale. Amnezi selektive!” shkruan ai.
Xhaferi përmendi se dokumenti i publikuar nga deputetja daton nga viti 2007 dhe vjen nga një periudhë kur, sipas tij, kishte një përpjekje sistematike për të rrënuar arritjet e Marrëveshjes së Ohrit. Atë kohë, në qeveri ishte VMRO-DPMNE dhe PDSH, kjo e fundit kishte hyrë në pushtet si parti humbëse te shqiptarët dhe palegjitimitet politik.

“Dokumenti që publikojnë daton nga viti 2007! 2006–2008: Fillon tentimi për rrënimin sistematik të çdo të arriture nga Marrëveshja e Ohrit… Por sot? Sërish kthim pas. Humbet legjitimiteti. E njëjta logjikë,” shton Xhaferi.
Duke e përmbyllur me një sulm të drejtpërdrejtë ndaj administratës lokale, ai shkruan:
“I nderuari nëpunës nuk i printon çertifikatat, por ato u’a jepni ju! Jo Serveti, por servilizmi juaj!”
Përplasja mes dy kampeve është vetëm një nga episodet që pasqyrojnë tensionet në rritje në nivel lokal, sidomos në prag të përballjeve politike për kontrollin mbi institucionet dhe narrativat për të drejtat e shqiptarëve në vend. Flaka
















