Lloga komenton vizitën e Presidentes në Tetovë: “Përqafimi që i bënë shqiptarët – zero”
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, zhvilloi një vizitë në Tetovë në kuadër të manifestimit kulturor “Tetova në festë”. Me këtë rast, ajo u prit edhe nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, me të cilin zhvilloi një takim në ambientet e komunës.
Vizita ka nxitur edhe reagime kritike për mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në kabinetin presidencial.
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, reagoi ashpër pas vizitës së Presidentes në Tetovë, duke e cilësuar si një “hipokrizi politike” pjesëmarrjen e saj në aktivitete kulturore shqiptare, ndërkohë që shqiptarët janë të përjashtuar nga funksionet kyçe në zyrën presidenciale dhe në strukturat e sigurisë.
“Përqafimi që i bënë shqiptarët – zero,” shkruan Lloga, duke listuar emrat e bashkëpunëtorëve më të afërt të Presidentes Siljanovska:
Zhidas Daskalovski – këshilltar për politikë të jashtme
Zllatko Jankovski – këshilltar për integrime evropiane
Lina Rangellova – bashkëpunëtore për politikat rinore
Gjorgi Bozhinov – sekretar i përgjithshëm
Goran Momiroski – zëvendëssekretar i përgjithshëm
Gabriela Jakovleva – drejtoreshë e Agjencisë së Zbulimit
Ivana Stojanovska – zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Zbulimit
Sashko Lafçiaki – përfaqësues i Gjeneral Shtabit të ARM-së
“Në rrethin e sigurisë së Presidentes nuk ka asnjë polic shqiptar,” përfundon Lloga, duke ngritur shqetësime serioze për diskriminimin institucional dhe përjashtimin etnik në nivelet më të larta të shtetit. Flaka














