Snopçe: Qeveria nuk ka më alibi – Të zbatohet vendimin e Gjykatës Kushtetuese për numrin e këshilltarëve!
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ngre alarmin për diskriminimin e vazhdueshëm ndaj komunave shqiptare përmes vendimit arbitrar të Qeverisë që i privon ato nga përfaqësimi i drejtë në këshillat komunalë. Java që vjen është mundësia e fundit për ta korrigjuar këtë padrejtësi në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se ndarja ndërmjet qytetarëve rezidentë dhe jorezidentë është antikushtetuese dhe e papranueshme.
Aleanca për Shqiptarët bën thirrje të drejtpërdrejtë ndaj njërit prej ministrave shqiptarë në Qeverinë aktuale, në veçanti atyre të VLEN-it: në mbledhjen e radhës të Qeverisë, kërkoni zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Asgjë më shumë, asgjë më pak.
Nëse mungon guximi për të vepruar, heshtja do të barazohet me bashkëpjesëmarrje në diskriminim. Nëse ministrat kanë agjenda më të rëndësishme, atëherë është obligim i zëvendësministrave të marrin fjalën dhe të propozojnë respektimin e një akti juridik të formës së prerë.
VMRO po dërgon sinjal të qartë: mërgimtarët shqiptarë janë qytetarë të dorës së dytë. VLEN nuk guxon të FLEN.
Të gjithë jemi dëshmitarë që Qeveria aktuale, përmes qëndrimeve të VMRO-së, kërkon t’u mohojë mërgimtarëve të drejtën për përfaqësim të barabartë, duke ndëshkuar komunat shqiptare. Kjo qasje është e papranueshme dhe fyese. Në vend të ndreqjes së padrejtësive historike, po krijohen barriera të reja institucionale ndaj shqiptarëve.
Ky është momenti për veprim – jo fjalë, jo retorikë.
Nëse kjo çështje nuk adresohet tani, ajo do të mbetet një njollë e zezë në ndërgjegjen politike të çdo ministri shqiptar që nuk e ka ngritur zërin. Koha nuk pret. Java që vjen është java e fundit për të ndërhyrë, thuhet në kumtesën e Aleancës për Shqiptarët. Flaka
















