Kallëzohen penalisht dy djemtë e Garip Kabës – Akuzohen për kërcënim ndaj ish-deputetit Sulejmani
Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë ka ngritur kallëzim penal ndaj A.K. (35) dhe B.K. (33), të dy banorë të fshatit Veleshtë në rajonin e Strugës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “rrezikim i sigurisë”.
Sipas njoftimit zyrtar, më 18 maj 2025, përmes një aplikacioni në rrjetet sociale, të dyshuarit kanë dërguar kërcënime ndaj S.S. (42) nga Struga, i cili ushtron funksionin e deputetit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas Policisë, rasti është dokumentuar dhe procedurat penale janë iniciuar nga organet kompetente. Fjala është për dy djemt e Garib Kabës, Bardhoshin dhe Landin.
Si ndodhi ngjarja e datës 18 Maj ?
Policia e Strugës ka ndaluar mbrëmjen e 18 majit 2025 dy aktivistët e Aleancës për Shqiptarët (ASH), Landi Kaba (35) dhe Bardhok Kaba (33), të dy nga fshati Veleshtë i Strugës, pas një kallëzimi penal të ngritur nga ish-deputeti Salim Sulejmani për “kërcënim” të pretenduar përmes rrjeteve sociale. Arrestimi i dy vëllezërve është bërë në bazë të nenit për veprën penale “rrezikim i sigurisë”, por rasti ka ngjallur reagime të ashpra, si nga familja Kaba ashtu edhe nga Aleanca për Shqiptarët.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja është denoncuar në Stacionin Policor të Tetovës në orën 18:10 më 18 maj, dhe ka të bëjë me kërcënime të dërguara në rrjetet sociale ndaj S.S. (42), banor nga fshati Shum dhe me vendbanim të përkohshëm në Tetovë, aktualisht deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Por, menjëherë pas arrestimit, ka reaguar Garip Kaba, babai i Landit dhe Bardhokut, duke e cilësuar të gjithë rastin si një “trillim politik të fabrikuar nga regjimi i Mickoskit” dhe një përpjekje për intimidim ndaj familjes së tij dhe aktivistëve të ASH-së.
“Sonte sapo u informova se policia ka arrestuar djemtë e mi mbi bazën e një shpifjeje për gjoja kërcënim ndaj ish-deputetit dhe ‘ambasadorit të ardhshëm’ Salim Sulejmani. Asnjëherë nuk e kam menduar se me shpifje dhe shantazhe do të ushtrohen presione të tilla ndaj nesh,” – tha Garip Kaba në reagimin e tij.
Ai shtoi se kjo është një përpjekje për të heshtur zërat kritikë brenda shqiptarëve dhe e cilësoi regjimin aktual si “hibride represive dhe të mbështetur nga figura fetare të instrumentalizuara.”
Në mbrojtje të aktivistëve ka dalë edhe Aleanca për Shqiptarët, e cila nëpërmjet një deklarate publike shprehu “indinjatë dhe revoltë të thellë” për ndalimin e Landi dhe Bardhok Kabës, duke e cilësuar si një akt të hapur represioni politik.
“Policia e Strugës ndaloi paqësisht aktivistin tonë, Landi Kaba, duke përdorur si arsyetim pretendime absurde. Ne e kundërshtojmë fuqishëm këtë qasje, e cila synon të hesht çdo zë kritik ndaj kësaj qeverie monoetnike,” – thuhet në reagimin e ASH-së.
Partia shtoi se familja Kaba është vënë nën presion psikologjik dhe shantazh të vazhdueshëm, dhe i bëri thirrje përfaqësuesve shqiptarë në qeveri që të distancohen nga veprime të tilla.
“Kjo qeveri ka humbur çdo legjitimitet moral dhe demokratik, ndërsa institucionet shtetërore po shfrytëzohen për t’iu frikësuar shqiptarëve të pakënaqur me padrejtësitë.”
Pavarësisht arrestimit, në orët e vona të së njëjtës natë, Landi dhe Bardhok Kaba janë liruar nga stacioni policor në Strugë. Megjithatë, hetimet për rastin janë ende në vijim, dhe sipas MPB-së, do të informohet publiku në kohë reale për zhvillimet e mëtejshme.
Ky rast ka ndezur tensione të reja politike në zonën e Strugës dhe përtej saj, duke risjellë në fokus çështjen e përdorimit të instrumenteve shtetërore për qëllime politike dhe klimën e shtuar të pasigurisë për aktivistët opozitarë në vend.














