Antikorrupsionerja që i bëri për vete partitë e RMV-së dhe i tradhtoi qytetarët

Flaka
Botuar nga Flaka 30 Korrik, 2025 08:17

Antikorrupsionerja që i bëri për vete partitë e RMV-së dhe i tradhtoi qytetarët

Katër ditë pasi e dorëzoi, Kuvendi dje e konstatoi dorëheqjen e Tatjana Dimitrovskës, kryetares së Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, shkruan Prizma, përcjell Portalb.mk.

Mandati i saj zgjati një vit e pesë muaj.

Në postin më të lartë të KShPK-së ajo erdhi me paralajmërimin për një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, por në vend që të mbahet mend për përplasjen e saj me të fuqishmit, mandati i saj përfundon në përplasje me ligjin.

Starti i përbërjes së re të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, të cilën ajo e drejtoi, nuk premtonte shumë. Sidomos një veprim i kryer e ngriti alarmin për sa i përket prioriteteve të përbërjes së re – kërkesa për pasaporta diplomatike, për çka ajo thoshte se është “një e drejtë, e jo privilegj”.

Opinioni menjëherë e kuptoi se përbërja e re e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit do të punonte në një mënyrë ndryshe nga ajo e Komisionit paraprak.

Shpejt u bë e qartë se edhe transparenca nuk ishte një ndër prioritetet e KShPK-së. Numri i intervistave që komisionerja e parë kundër korrupsionit i dha për mediat mund të numërohet me gishtat e njërës dorë.

Dimitrovska u kritikua nga gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile se KShPK-ja ishte e paqasshme dhe se po ndryshonte drejtim drejt mbylljes së institucionit. Në këtë ajo u përgjigj se ata kishin nevojë për kohë për t’u përshtatur.

Zgjedhja e saj ishte befasi për shumë njerëz, por jo për ata që e njihnin.

Ajo donte të kishte gjithçka nën kontroll

“E gjithë posta vinte tek ajo”, tha një burim nga KShPK-ja për BIRN.

Një arkiviste u transferua në katin e saj – në mënyrë që ajo të kishte qasje në të gjithë korrespondencën, madje edhe në atë që nuk kishte të bëjë me lëndët e saj, që anëtarët e dërgonin nëpërmjet këshilltarëve drejt institucioneve të tjera.

Tek disa punonjës kjo krijoi përshtypjen se Dimitrovska donte të kishte kontroll të plotë mbi punën e institucionit, praktikë kjo që bie ndesh me funksionimin e përbërjes së mëparshme të KShPK-së.

Disa anëtarë e ndjenin se kolegia i tyre po kalkulonte me dinamikën e trajtimit të disa lëndëve.

“Taktizonte. Nëse priteshin instruksione të caktuara, puna bllokohej, nuk caktoheshin seancat”, tha një burim nga Komisioni për BIRN.

Dimitrovska u zgjodh në KShPK me kolegët e saj shumëvjeçarë nga Enti Shtetëror i Revizionit (EShR), Cveta Ristevska dhe Zoran Bogoevski, me të cilët, sipas burimeve të BIRN, rrinte gjithmonë bashkë.

Sipas burimeve të BIRN ky “ekip i revizorëve” vazhdoi me bashkëpunimin e ngushtë edhe në postet e tyre të reja, kështu që shpesh vepronte së bashku, duke e mbështetur njëri-tjetrin gjatë vendimmarrjes.

Kolegët e saj në KShPK kujtojnë qëndrimin e saj para se t’i nënshtrohej provimit për Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, veprimi që shkaktoi ngritjen e padisë kundër saj. Ajo nuk e fshehte nga kolegët e saj se e konsideronte provimin një formalitet dhe se këtë gjë në emër të saj mund ta kryente dikush tjetër.

Avokati i saj, Vlladimir Tufegxhiq, për BIRN tha se ai e kishte këshilluar të jepte dorëheqje.

Dimitrovska nuk iu përgjigj kërkesës tonë për takim, as nëpërmjet email-it të saj dhe as nëpërmjet avokatit të saj.

E preferuara e partive

Në nëntor të vitit 2023 në Kuvend u zhvilluan intervista me dyzet kandidatë për shtatë vendet në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, përfshirë këtu edhe me Dimitrovskën. Кritikat e organizatave civile në lidhje me prezantimin e kandidatëve ishin se intervistat ishin të dobëta dhe se disa  prej tyre nuk u përgjigjën drejtpërdrejt në pyetjet e parashtruara.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët në atë kohë i vlerësonin kandidatët, ngritën alarmin se pas përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KShPK-së kishte një marrëveshje mes partive.

Kjo u bë e qartë shumë shpejt. Dimitrovska mori nga 100 pikë nga të gjitha partitë, përfshirë këtu VMRO-DPMNE-në, LSDM-në, BDI-në dhe Lëvizjen Demokratike.

Ky konsensus i rrallë politik, i cili i mundësoi asaj të ngjitej në krye të listës, të kujton shumë shumicën e përbashkët, e cila ia dha Каtica Janevës mandatin si kryetare të Prokurorisë Speciale Publike.

Megjithatë, mes tyre ekziston një ndryshim i qartë – në rastin e Dimitrovskës, organizatat e shoqërisë civile nuk panë një kandidate të mirë për KShPK-në që para zgjedhjes së saj, kështu që i dhanë asaj nota dukshëm më të ulëta. Për dallim nga zgjedhjet e vitit 2019, të cilat u ndoqën nga afër nga publiku dhe mediat, ky proces nuk tërhoqi shumë vëmendje.

Për disa nga kolegët e Dimitrovskës zgjedhja e saj si kryetare e KShPK-së nga partitë nuk është një befasi.

“Ajo është e afërt me të gjitha partitë sepse u ka bërë atyre revizion për vite me radhë, edhe pse ka standarde të qarta ku thuhet se revizoret duhet të qarkullojnë sa i përket subjekteve”, tha për BIRN ish-kolegu i saj nga Enti Shtetëror i Revizionit, i cili harmonizimin në zgjedhjen e saj e sheh pikërisht në afërsinë dhe kontaktet e saj me partitë.

Në një nga paraqitjet e saj të rralla televizive, e pyetur për disproporcionin mes votave të partive dhe sektorit civil, Dimitrovska u përgjigj se për këtë duhet të pyeten ata.

“As si person dhe as si institucion nuk do të lejojmë ndërhyrjen e ndonjë fuqie nga komuniteti i biznesit, politika apo faktorë të tjerë të jashtëm”, tha ajo për “360 Gradë”.

Përshtypja e një pjese të opinionit është se vendimet e KShPK-së për raste të ndjeshme, siç ishte udhëtimi i djalit të Kryeministrit, Hristijan Mickoski, në Shtetet e Bashkuara, nuk ishin mjaftueshëm të qarta dhe bindëse.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nën udhëheqjen e Dimitrovskës nuk hapi asnjë rast serioz korrupsioni, e as nuk u pozicionua si një zë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Përkundrazi, KShPK-ja paditi institucione si Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion sepse i kishin urdhëruar  Komisionit që të mundësonte për BIRN qasje në certifikatën e drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (ASK), Bojan Hristovski.

Gjithashtu Komisioni rekomandoi se dispozita ligjore mbi transparencën në tendera ishte e pasaktë dhe se mund të publikohej informacion i ndjeshëm afarist, gjë që u interpretua si një përpjekje për ta kufizuar informacionin mbi prokurimet publike dhe hasi në një reagim të ashpër nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat vlerësuan se ky qëndrim i KShPK-së çon drejt mbylljes e institucioneve.

Ngjitje në karrierë që nga viti 2020

Tetor 2004. Atëkohë Dimitrovska punësohet në Entin Shtetëror të Revizionit.

Ajo atje vjen nga një shkollë e mesme ekonomike, ku ka punuar si profesoreshë. Gjashtë vjet më vonë, së bashku me dhjetëra të tjerë, ajo e merr provimin dhe bëhet revizore shtetërore e certifikuar.

Disa vjet pas marrjes të provimit ajo punon si revizore e lartë, pastaj si revizore e pavarur, por për herë të parë në një post drejtues vjen në vitin 2020.

Atëkohë Kryerevizori i sapozgjedhur i Shtetit, Maksim Acevski, e emëroi atë si drejtuese të një njësie, ndërsa më pas ajo u bë edhe ndihmësja e tij.

Nga ajo kohë fillon ngritja e saj profesionale.

“Nuk spikatej për ndonjë gjë”, tha për BIRN një kolege me të cilën ajo ka punuar në Entin Shtetëror të Revizionit, duke e përshkruar atë si një person që nuk ishte tepër ambicioze, por që kishte vetëbesim. Sipas saj ky vetëbesim doli të ishte i pabazë dhe se me atë ajo e fshihte “papjekurinë e saj profesionale”.

Në biografinë e saj prej gjashtë faqesh Dimitrovska për veten shkruan se “përmes kryerjes së ligjshme, të pavarur, të paanshme, etike, të përgjegjshme dhe transparente të detyrave të saj të punës” ajo ka kontribuar në ruajtjen e reputacionit të saj personal dhe atij të Entit Shtetëror të Revizionit.

Sipas biografisë së saj ajo ka kryer revizion në më shumë se 300 subjekte. Të parin ajo e ka renditur ish Prokurorinë Speciale Publike. Krahas partive politike ajo ka kryer revizion edhe në KShPK, si dhe në ministritë, agjencitë dhe organet rregullatore.

Miku i familjes

Edhe pse lënda për të cilën akuzohet, për inspektimin e pronës së ish-drejtorit të Termocentralit të Negotinës, Nebojsha Stojanoviq, nuk ishte e saj, Dimitrovska ka pasur qasje në materialet.

Sipas prokurorisë ishte pikërisht ky informacion që ajo ia përcolli Stojanoviqit që ia mundësoi asaj akuzën për zbulim të sekretit zyrtar.

“Ajo as nuk ishte e vetëdijshme se kishte hetim. Madje edhe kur erdhën hetuesit ajo nuk e dinte se po vinin për të”, thotë një burim nga Komisioni, i cili tregon se kur policia erdhi për të kryer kontrollin, ata ishin në kolegium.

Pas kontrollit kontakti i saj i fundit me të gjithë anëtarët ishte kur sekretarja e vuri në spikerfon. Dimitrovska u kërkoi falje anëtarëve dhe la përshtypjen se besonte që kontrolli nuk ishte asgjë serioze.

Për dy veprat penale për të cilat akuzohet Dimitrovskës i kanoset dënim me burg prej pesë vitesh për secilën vepër penale.

Disa ditë më vonë, përshtypja nga kolegët e saj është se ajo ende ka qenë e sigurt se do të kthehej në punë, por pas kësaj pasoi një njoftim zyrtar nga gjykata ku thuhej se asaj i ishte urdhëruar të largohet nga vendi i punës.

Dimitrovska më pas ka shfrytëzuar pushim mjekësor, e pastaj pushimin e vjetër vjetor.

Në deklaratën e saj të vetme publike që nga fillimi i hetimit korrespondencën me Stojanoviqin ajo e quajti “komunikim me një mik familjar”, në të cilin nuk zbuloi asnjë sekret.

Vazhdo të lexosh lajmin në Portalb

265
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

Flaka
Botuar nga Flaka 30 Korrik, 2025 08:17
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
265
SONDAZHI

Nëse nesër mbahen zgjedhjet, kush i fiton?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?