BDI akuzon Qeverinë për diskriminim institucional: Procesverbalet e mbledhjeve pa përkthim në shqip
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan, shkeljes së vazhdueshme të Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se mosbotimi i procesverbaleve të mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën shqipe është “diskriminim institucional i qëllimshëm”.
“Që nga data 10 qershor 2025 janë mbajtur 14 mbledhje të Qeverisë dhe asnjë prej procesverbaleve nuk është publikuar në gjuhën shqipe në faqen zyrtare të institucionit qeveritar,” thuhet në reagimin zyrtar të BDI-së, që vlerëson se kjo përbën “një shkelje të hapur të ligjit dhe një akt përçmues ndaj qytetarëve shqiptarë”.
Për BDI-në, arsyetimi me “vonesa teknike” është i papranueshëm.
“Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe detyrimi për përkthim dhe publikim të barabartë është i sanksionuar me ligj. Çdo shmangie nga ky obligim është mohim i karakterit multietnik dhe barazisë që e garanton Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit,” thuhet më tej në komunikatë.
BDI shigjeton drejtpërdrejt VMRO-DPMNE-në si nxitëse të kësaj klime diskriminuese:
“Nuk është rastësi që këtë klimë diskriminimi e ushqejnë pikërisht partitë që vazhdojnë të kundërshtojnë vetë ekzistencën e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Rikujtojmë se VMRO-DPMNE është parashtruese zyrtare e iniciativës për shfuqizimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.”
Po ashtu, BDI shpreh shqetësim edhe për rolin e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces, duke e cilësuar si “instrument parapolitik për rrënimin e çdo arritjeje nga Marrëveshja e Ohrit”.
Në përfundim, BDI i bën thirrje Qeverisë që të ndalë menjëherë këtë praktikë dhe të ndërmarrë masa urgjente për respektimin e plotë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve:
“Çdo neglizhencë ndaj gjuhës shqipe është neglizhencë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës në vend.”
“Qytetarët shqiptarë nuk janë qytetarë të dorës së dytë dhe meritojnë respekt të plotë në çdo dokument, në çdo platformë dhe në çdo veprim të institucioneve shtetërore,” përfundon reagimi i BDI-së.
















