BDI dhe ASH me akuza të ashpra: Shqiptarët po përjashtohen sistematikisht nga institucionet shtetërore

Flaka
Botuar nga Flaka 2 Gusht, 2025 23:32 Përditësuar

BDI dhe ASH me akuza të ashpra: Shqiptarët po përjashtohen sistematikisht nga institucionet shtetërore

Opozita shqiptare me akuza të ashpra ndaj qeverisë për diskriminim etnik dhe kapje institucionale, ndërsa VLEN-i akuzohet për heshtje të turpshme dhe nënshtrim politik.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) kanë reaguar me tone të ashpra kundër politikave të përjashtimit të shqiptarëve nga institucionet shtetërore. Ata kanë denoncuar eliminimin e mekanizmit të balancës etnike si akt i qëllimshëm i pushtetit aktual, ndërsa kanë akuzuar koalicionin opozitar shqiptar VLEN për heshtje, bashkëpunim dhe nënshtrim ndaj politikave të VMRO-DPMNE-së.

BDI shprehu “indinjatën më të thellë” pas publikimit të të dhënave nga Agjencia e Kadastrës, ku sipas kësaj partie, “bilanci i avansimeve dhe punësimeve të fundit është 25 maqedonas dhe 0 shqiptarë”. Ky rast, sipas saj, është dëshmi e një politike të qëllimshme diskriminuese dhe përjashtuese.

“Ky realitet është produkt i një projekti të njohur tashmë si ‘Maqedonia sërish e jotja’, i cili nuk është më vetëm ide apo diskurs politik, por tashmë pjesë e programit qeveritar dhe parazgjedhor të VMRO-DPMNE-së,” – thuhet në reagimin e BDI-së.

Ata theksuan se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për eliminimin e balancuesit është dëshmi se “shteti po shndërrohet në pronë etnike dhe politike të një grupi të vetëm”, ndërsa shqiptarët dhe komunitetet tjera po trajtohen si “të padëshiruar”.

BDI paralajmëroi se “referendumi politik” në muajin tetor do të jetë përgjigja më e qartë e qytetarëve për të mbrojtur karakterin multietnik të shtetit dhe rrugën evropiane.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët akuzoi koalicionin VLEN për përulje dhe nënshtrim total ndaj qeverisë. ASH reagoi ashpër pas deklaratave të kryeministrit Mickoski në Kuvend, i cili sipas tyre “ekspozoi” publikisht gënjeshtrat e Arben Fetait nga VLEN.

“VLEN është projekt i kapur dhe i kontrolluar nga qendra e pushtetit. E vetmja arsye që heshtin ndaj shkeljeve të Mickoskit është sepse janë të lidhur me afera e dosje,” – thuhet në deklaratën e ASH-së.

Ata e cilësuan VLEN-in si një “fasadë të një pushteti antishqiptar”, ndërsa liderët e këtij grupimi si “kukulla në duart e atyre që nuk i fshehin më qëndrimet antishqiptare”.

“Nuk ka më as strategji, as platformë politike – vetëm pazare dhe përulje. Kjo është vetëvrasje politike dhe tradhti ndaj votuesit shqiptar,” – përfundon deklarata e ASH-së.

Opozita shqiptare i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar dhe shoqërisë civile të reagojë ndaj “rrëshqitjes së rrezikshme” drejt një shteti monoetnik dhe autokratik, ndërsa shqiptarëve iu bë thirrje për mobilizim politik në muajin tetor. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 2 Gusht, 2025 23:32 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.