Flaka: Shteti hesht, urrejtja jehon – Skandali i Kumanovës trondit opinionin

Flaka
Botuar nga Flaka 3 Gusht, 2025 12:09

Flaka: Shteti hesht, urrejtja jehon – Skandali i Kumanovës trondit opinionin

Një skandal i rëndë me tone të theksuara nacionaliste dhe anti-shqiptare ka shpërthyer gjatë ndeshjes së parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të Basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës, për çka njoftoi Flaka

Në prani të figurave më të larta shtetërore – përfshirë Kryeministrin Hristijan Mickoski, Kryetarin e Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, Ministrin e Punëve të Jashtme Panço Toshkovski dhe Zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq – në tribunat e palestrës u dëgjuan qartë kore raciste dhe kërcënime të hapura kundër shqiptarëve.

“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”, ishte një nga thirrjet e përsëritura nga një pjesë e tifozëve.

Nuk mbaroi me kaq. Gjatë ndeshjes, tribunat u mbushën me parulla fashiste si:

“Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”,

“Dhoma e gazit për shqiptarët”.

Të pranishmit në protokollin shtetëror nuk reaguan. Asnjë distancim. Asnjë ndërprerje. Asnjë kërkim falje.

BDI: “Miratim me heshtje – po aq i rëndë sa thirrjet fashiste”

Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi me gjuhë të ashpër duke e quajtur ngjarjen një “teatër të nacionalizmit primitiv” dhe “alarm për demokracinë dhe bashkëjetesën”.

“Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma e gazit për shqiptarët”, “Maqedoni e pastër” – janë thirrje që na rikthejnë në epoka të errëta të historisë evropiane”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI akuzon për heshtje të organizatorëve, Federatës së Basketbollit, MPB-së, Komunës së Kumanovës dhe gjithë aparatit shtetëror të pranishëm.

“Vetëm miratim me heshtje – që për ne është po aq i rëndë sa vetë koret”, vijon reagimi.

BDI kërkon:

  • Hetim urgjent nga MPB dhe Prokuroria,
  • Sanksione ndaj organizatorëve,
  • Distancim zyrtar nga Qeveria,
  • Përfshirjen e faktorit ndërkombëtar për monitorimin e gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut.

Aleanca për Shqiptarët: “Kur heshtja bëhet bashkëfajësi”

Aleanca për Shqiptarët (ASH), e udhëhequr nga Arben Taravari, u rreshtua fuqishëm kundër ngjarjes, duke theksuar përgjegjësinë morale dhe politike të institucioneve.

“Në një shtet funksional dhe demokratik, çdo akt i tillë do të shoqërohej me ndëshkim të menjëhershëm dhe distancim institucional. Fatkeqësisht, në Maqedoninë e Veriut të vitit 2025, kjo gjuhë urrejtjeje tolerohet, injorohet, madje edhe normalizohet”, thuhet në deklaratë.

ASH ka akuzuar edhe heshtjen e grupimit VLEN, duke e konsideruar një “pranim të heshtur dhe pozicionim politik përballë një akti të rëndë diskriminimi”.

“VLEN shmang përgjegjësinë për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve dhe vendoset hapur përballë tyre, duke u bërë palë në një bashkëfajësi të turpshme me pushtetin”, përfundon reagimi i ASH.

Arben Fetai: Tradhti e turpshme ndaj vlerave të sportit

I vetmi zyrtar nga VLEN që ka reaguar është Zëvendëskryeministri Arben Fetai. Në një deklaratë publike, ai dënoi qartë dhe prerë ngjarjen:

“Dënoj fuqimisht thirrjet ksenofobe dhe gjuhën e urrejtjes drejtuar shqiptarëve gjatë ndeshjes së mbrëmshme. Kjo lloj sjelljeje është tradhti e turpshme ndaj vlerave të respektit dhe fair play-it që sporti duhet të përfaqësojë.”

Fetai u bëri thirrje autoriteteve sportive dhe shtetërore të marrin masa për “çrrënjosjen e këtij turpi” dhe paralajmëroi se heshtja vetëm ushqen urrejtjen.

Heshtje institucionale. Presion në rritje.

Deri më tani, asnjë reagim nga Federata e Basketbollit, Ministria e Punëve të Brendshme apo Qeveria. Pavarësisht pranisë së krerëve të shtetit në vendngjarje, askush nuk ka marrë përgjegjësi.

Në rrjete sociale po qarkullojnë pamje dhe incizime të thirrjeve raciste, ndërsa komuniteti shqiptar dhe faktorë ndërkombëtarë pritet të ndërhyjnë me kërkesa për hetim dhe ndëshkim.

Ky incident rrezikon të kthehet në një precedent të rrezikshëm, nëse mbetet pa përgjigje. Heshtja nuk është neutralitet – është legjitimim i racizmit. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 3 Gusht, 2025 12:09
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.