BDI denon diskriminimin në Operën dhe Baletin Nacional: 46 maqedonas, vetëm 1 shqiptar

Flaka
Botuar nga Flaka 6 Gusht, 2025 14:39

BDI denon diskriminimin në Operën dhe Baletin Nacional: 46 maqedonas, vetëm 1 shqiptar

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me tone të ashpra ndaj përbërjes etnike të punësuarve në Operën dhe Baletin Nacional (OBN), duke e cilësuar situatën si “diskriminim sistematik dhe të qëllimshëm ndaj shqiptarëve” në institucionet kulturore shtetërore.

“Nga 47 të punësuar në këtë institucion publik, 46 janë maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar. Kjo shifër nuk është vetëm statistikë, është politikë diskriminuese që po i mbyll dyert shqiptarëve në kulturë, në art, në administratë dhe në çdo hapësirë shtetërore”, thekson BDI në reagimin zyrtar.

Sipas BDI-së, ky është një ilustrim i qartë se përjashtimi i shqiptarëve nga institucionet publike nuk është rastësor.

“Institucione që duhet të jenë vatra të përfaqësimit të barabartë dhe bashkëjetesës kulturore, siç është Opera dhe Baleti Nacional, kanë kthyer përfaqësimin e shqiptarëve në zero simbolike, duke e reduktuar një komunitet prej 30% të popullsisë në statusin e të padëshiruarit”, thuhet në deklaratë.

BDI rikujton gjithashtu edhe skandalin e vetëm një dite më parë në Ministrinë e Mbrojtjes, ku nga 74 kandidatët e pranuar në Ushtri, vetëm një ishte shqiptar – Jasir Ibrahimi, nipi i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.

“Ndërsa dhjetëra kandidatë shqiptarë të kualifikuar ishin eliminuar në mënyrë të dyshimtë, vetëm një familjar i një funksionari partiak e kalon ‘testin’. Ky është modeli i përfaqësimit që ofron Qeveria e sotme?”, pyet BDI.

Partia shqiptare nënvizon se nuk do të qëndrojë duarkryq përballë kësaj padrejtësie.

“BDI paralajmëron se nuk do të lejojë që shqiptarët të kthehen në dekor në institucione, ndërsa vendimmarrja, rolet dhe punësimet u rezervohen vetëm të tjerëve. Ne do të ngremë zërin dhe do të ndërmarrim hapa institucionalë dhe politikë për ta ndalur këtë padrejtësi të organizuar”, thuhet në fund të deklaratës.

Reagimi i BDI-së vjen në një periudhë kur tensionet ndëretnike dhe debati mbi përfaqësimin e drejtë e adekuat në institucionet shtetërore janë sërish në qendër të vëmendjes politike në Maqedoninë e Veriut. Flaka

Flaka
Botuar nga Flaka 6 Gusht, 2025 14:39
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.